E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi dhe Daçiç takohen sot në Bruksel, në fokus zgjedhjet lokale

Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut serb, Ivica Daçiç.

Sipas zëdhënëses së kryediplomates evropiane Catherine Ashton,  Maja Kocijançiç, në fokus të këtij takimi sërish do të jenë zgjedhjet e 3 nëntorit.

Dy kryeministrat do ta vazhdojnë dialogun, që do të thotë se në takim do të diskutohet zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, e fokusi kryesor do të jetë përgatitja e zgjedhjeve, ka thënë Kocijançiç.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se takimi ka si qëllim përmbylljen e marrëveshjes për telekomin dhe energjinë.

Kosova dhe Bashkimi Evropian, sipas tij, i kanë kryer të gjitha obligimet dhe se tani presin qëndrimin e Serbisë.

Qëndrimi i Kosovës dhe Bashkimit Evropian është identik sa i përket këtyre dy çështjeve, ndërsa unë dua të besoj se edhe Serbia do të ketë qëndrim pozitiv për aprovimin e këtyre dy marrëveshjeve, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërsa agjencitë serbe të lajmeve raportojnë se zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do ti bashkohet gjithashtu ekipit serb, ndonëse një gjë e tillë nuk konfirmohet nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Tanjug citon burime diplomatike të cilat kanë thënë se pjesëmarrja e Vuçiçit mund të çojë në përparim të konsiderueshëm sa i përket çështjes së energjisë dhe të telekomunikacionit, e cila edhe pas dy vjetësh bisedime mbetet e hapur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›