E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zotërinjtë e Vatikanit

Ishte 11 shkurti i vitit 1929, një gjysmë ore para mesditës kur një makinë ngjyrë e zezë erdhi e u ndal përpara pallatit të Lateranos në Romë. Dyert e veturës u hapën dhe prej saj doli njeriu më i frikshëm i Italisë. Ishte Benito Musolini. Në pallat - zyrat qendrore të Curias romane, organi administrativ i Kishës Katolike - Papa Piu XI dhe funksionarët e tij më të lartë e pritën diktatorin me shtrëngime duarsh të përzemërta.

Musolini donte që Vatikani të njihte zyrtarisht fashizmin. Ishte një tentativë për të neutralizuar Partinë Popullore të Don Sturcos, kundërshtari i tij. Edhe kisha kishte qenë e qartë sa u përket objektivave të saj. Donte të rimerrte atë që kishte pasur në vitet tetëqind me bashkimin e Italisë: një shtet sovran. Ia doli. Rreth orës një, Musolini firmosi marrëveshjen lateranese, që i jepte Papës një territor të pavarur në brendësi të Romës. Në këmbim, Kisha Katolike njihte si legjitime qeverinë e drejtuar nga Duçja.

Ishte pikërisht në atë ditë dimri, me bekimin e një prej personazheve më tiranikë të shekullit të njëzetë, që lindi shteti i Vatikanit ashtu si është sot: vendi më i vogël i pavarur në botë dhe e fundmja monarki absolute e Perëndimit.

Takimi në Laterano ishte vetëm epilogu i një historie shumë më të gjatë, e cila i kishte rrënjët rreth dy mijë vite më parë, kohë kur Papa ishte vetëm peshkop i Romës, një prej liderëve të shumtë të një feje të persekutuar. Në kulmin e pushtetit, Papët u vetëdeklaruan "padronë të botës" dhe ata filluan luftëra në emër të Perëndisë. Sot papati është institucioni ndërkombëtar më jetëgjatë i historisë. Prej nga buron dhe ku ka shkuar gjithë ky pushtet? Për t'u përgjigjur ka nevojë të kthehemi pas në origjinën e krishterimit, kur Roma u bë qendra e një sekti hebraik i lindur mes rërave të Lindjes së Mesme.

Në fillim të mesjetës, besimtarët e krishterë ishin të vetmit europianë të shkolluar. Duke furnizuar me këshilltarë dhe legjislatorë mbretëritë që po krijoheshin, kisha shtriu ndikimin e saj te sovranët barbarë, që nisën të konvertohen në vitin 508: i pari ishte Klodoveo, mbret i frankëve, që dërgoi të bekohen me ujë të shenjtë ushtrinë e tij.

Autori i Donacionit të Kostandinit ndoshta i përkiste një klase të veçantë eruditësh të klerit: kjo seri falsifikuesish që mes shekujve VI dhe IX punonin në zyrat e Papës, ndryshonin apo krijonin dokumente për të forcuar pozicionin e peshkopëve romakë.

Donacioni ishte një e mesme mes një dëshmie dhe një testamenti, firmosur hapur nga Kostantini në vitin 325. Teksti rrëfen se Perandori, i shpëtuar mrekullisht nga lebra pas lutjeve të Papë Silvestrit, në shenjë mirënjohjeje emëroi Papë trashëgimtarët e tij ligjorë: "Atyre u lë kurorën mbretërore dhe qeverisjen e të gjithë rajoneve të Perëndimit, tani e përgjithmonë".

Në fund të vitit 1000, Europa ishte në gjunjë. Me shpatën e katolikëve dhe zellin e misionarëve, krishterimi kishte unifikuar kaleidoskopin e Perëndimit në një komb të madh shpirtëror. Megjithatë, në Azi autoriteti i Papës nuk njihej. Patriarku i Kostandinopojës, Stambolli i sotëm, konsiderohej po aq i rëndësishëm sa edhe kolegu i tij italian. Veç të tjerash, kishte edhe disa mosmarrëveshje që lidheshin me doktrinën dhe me liturgjinë romake, si beqaria dhe mesha në latinisht. Mosmarrëveshja shpërtheu në vitin 1054, kur Papa Leoni IX dhe patriarku Michele I Cerulario ndërprenë komunikimet duke i vështirësuar edhe më tej marrëdhëniet. Në Lindje u krijua Kisha Ortodokse, ndërkohë që Kisha Romane u shpall unike, e shenjtë, apostolike dhe katolike (nga greqishtja katholikos që do të thotë universale).

E, megjithatë, mes shekujve XIII dhe XV ëndrra e kishës për hegjemoni erdhi e u venit. Kryqëzatat rezultuan një fiasko: në vitin 1291 europianët u dëbuan përfundimisht nga sulltanët myslimanë. Në Europë, dëlirët absolutistë të Vatikanit provokuan rebelimin edhe të klerit. Lorenco Vala, prift dhe filolog në vitin 1440, provoi se Donacioni i Konstantinit ishte fals. Vala demonstroi se dokumenti ishte plot me gabime historike dhe papajtueshmëri gjuhësore.

Megjithatë, ditët më të këqija për kishën ende nuk kishin ardhur. Në shekullin XVIII, në Europë lulëzoi Iluminizmi, lëvizja filozofike që vendoste arsyen dhe shkencën në qendër të botës, si dhe vinte në dyshim vlerën absolute të fesë e të traditës. Disa mendimtarë, si francezi Volter, pohonin se të gjithë njerëzit lindin të barabartë dhe kanë të drejtë të zgjedhin fenë e tyre. Kjo mënyrë e re e të menduarit kaloi më pas nga intelektualët te masa: në vitin 1789, Revolucioni Francez çoi në gijotinë privilegjet (dhe disa koka) të klerit dhe shpronësoi disa pasuri të kishës. Po konsumohej kështu, në mënyrë konfliktuale, ndarja mes kishës dhe shtetit në Perëndim. Nga mbrojtës i arteve, papati po shndërrohej në armik të progresit, duke hyrë në një fazë paniku apokaliptik kundrejt modernitetit (dënoi madje edhe hekurudhën apo ndriçimin me gaz). Në shekullin XIX, me humbjen progresive të të gjithë territoreve, integriteti moral u bë tashmë flamuri i ri i Vatikanit dhe në sytë e besimtarëve Papa u bë një shenjt që jeton, i padështueshëm, i pagabueshëm.

Në vitin 1870 përfundoi unifikimi i Italisë dhe tashmë edhe pronat që i kishin mbetur papatit u bënë pronë e shtetit. Tridhjetë vjet më pas, pasardhësi i Pjetrit ishte në një gjendje mizërie dhe një zero politike, ndërkohë që pallatet e Vatikanit copëtoheshin përditë. Ishte pikërisht në këto kushte që Papa Piu XI firmosi marrëveshjen e shumëdiskutuar në Laterano, e cila, përveç një territori sovran, parashikonte një donacion prej afro 90 milionë dollarësh, të cilët mjaftonin për të rregulluar llogaritë. Ishte fillimi i një ndryshimi të madh: sot, Vatikani deklaron fitime vjetore prej më shumë se 200 milionë dollarësh, duke përfshirë donacionet dhe të ardhurat nga investimet financiare.
Për pasardhësin e tij, Papa Piu XIII, regjimi nazist ishte në fakt një e keqe e domosdoshme në luftën kundër një rreziku më të madh: komunizmit.

Në vitin 1958, vdekja e Papa Piut XIII u pasua nga një konklavë ndër më të tensionuarat të shekullit XX. Për të penguar zgjedhjen e një konservatori, kardinalët progresistë votuan në masë Anxhelo Ronkalin (Gjoni XXIII) që dukej i papërshtatshëm për shkak të moshës 80-vjeçare. Sapo hipi në fronin papnor, ai befasoi edhe liberalët, duke thirrur Këshillin e Vatikanit II. Këshillat - apo më mirë asambletë universale të peshkopëve - ishin një shembull i lashtë demokracie. "Por, shpeshherë përfundonin në luftëra të brendshme dhe pa një vendim apo zgjidhje përfundimtare", thotë Alberto Meloni, historian i kishës. "Këshilli i Vatikanit II ishte një revolucion i vërtetë dhe jo thjesht një makijazh". Mes të tjerave, pranoi të drejtën e individit për të zgjedhur fenë e tij (duke hapur një kanal dialogu me fetë tjera) dhe reformoi liturgjinë, duke braktisur meshën në latinisht.

Për fat të keq, Papa vdiq i sëmurë nga kanceri në 1963, duke ia lënë Këshillin në duar pasardhësit Pali VI. "Por, për reformat pothuajse të 2676 etërit e Këshillit ishin dakord", përfundon eksperti. "Pavarësisht rehabilitimit kohët e fundit të ultra-konservatorëve pranë Benedictit XVI, që ka folur për 'hapa pas', fryma e Këshillit është ende gjallë".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›