Thaçi e Rasmussen diskutojnë për Veriun

Në këtë bashkëbisedim, kryeministri Thaçi dhe Rasmussen kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon, për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe për tema tjera.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë rolin e NATO-s në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe ka theksuar se në këtë drejtim bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me NATO-n është i shkëlqyeshëm.
Gjatë bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës.
Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme që të rritet koordinimi dhe vendosmëria e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë – tha z.Thaçi dhe informoi sekretarin Rasmussen se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar thellësisht në ndërtimin e një klime të mirëbesimit me qytetarët e saj në pjesën veriore të Kosovës, duke hapur kështu perspektivën e gjithanshme edhe në atë pjesë të vendit.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka shprehur mbështetjen e NATO-s për angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të Kosovës.
Në këtë drejtim, Rasmussen ka vlerësuar lartë rolin konstruktiv të Qeverisë së Kosovës në koordinimin e veprimeve me autoritetet e NATO-s për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës në pjesën veriore të vendit.