E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e Tadic shtrëngojnë duart në Dubrovnik (Video)

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shtrëngimi i duarve me liderin e Partisë Demokratike të Serbisë, Boris Tadic në Samitin e Kroacisë në Dubrovnik, është një veprim i vonuar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shtrëngimi i duarve me liderin e Partisë Demokratike të Serbisë, Boris Tadic në Samitin e Kroacisë në Dubrovnik, është një veprim i vonuar.

“Besoj se bojkotet e vazhdueshme të Serbisë në takime të tilla janë një gabim. Ky është një veprim i vonuar dhe unë nuk kam pasur ndonjë plan më parë të takohem me Tadicin”, ka thënë Thaçi kur është pyetur nga një gazetar i Al Jazeera-s për Ballkan se pse ai nuk u takua me Tadiqin por vetëm shtrënduan duart, transmeton Tanjug.

Ndërkohë, ish presidenti serb, Boris Tadic njëherit kreu i Partisë Demokratike të Serbisë, deklaroi më parë se shtrëngimi i duarve nuk është diçka historike porse “marrëdhëniet mes dy popujve duhet të përmirësohen”.

Partitë opozitare reagojnë për takimin Thaçi-Tadic

Tri partitë opozitare kanë reaguar lidhur me takimin që pati sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me ish-Presidentin e Serbisë Boris Tadiv, në Dubrovnik të Kroacisë.

Tri partitë opozitare, LDK, Lëvizja Vetëvendosje, dhe AAK, në prononcimet e tyre të dhëna për RTK-në, kanë reaguar lidhur me takimin që pati para pak çastesh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me ish-Presidentin e Serbisë Boris Tadiv, në Dubrovnik të Kroacisë.

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se: “Kryeministri i Kosovës e ka detyrë kushtetuese të përfaqësojë Kosovën jashtë vendi. Si Kryeministër mund të përfaqësojë Kosovën jashtë vendi dhe të takojë zyrtarë të shteteve tjera, por vetëm si Kryeministër i shtetit të Kosovës. Nëse zhvillon takime me zyrtarë, të cilët nuk e pranojnë si Kryeministër të shtetit të Kosovës atëherë është shkelje e Kushtetutës”, tha Gashi për RTK.

Në anën tjetër, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje këtë takim e vlerëson si të dëmshëm për Kosovën: “Takimi i sotëm i Thaçit me Tadivin në Dubrovnik të Kroacisë është shenjë tjetër se kjo Qeveri është e gatshme të takohet me politikanë serbë, të cilët janë shkaktarët kryesorë që Kosova mbetet e ndarë, që i paguajnë dhe i kontrollojnë strukturat kriminale serbe në Republikën e Kosovës dhe të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë përfaqësues të politikës hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, që do të thotë se, kryeministri Thaçi është i gatshëm të takohet edhe me Nikoliçin dhe Daçiqin për veriun e Kosovës”, theksoi Konjufca për RTK.

Kurse, për Burim Ramadanin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ky takim duhet të shihet vetëm shtrëgnim duarsh, pa efekte politike: ”Ky ka qenë vetëm shtrëngim duarsh dhe duhet të shihet si e tillë, dhe nuk mund të ketë efekte politike. Në Samite rajonale apo ndërkombëtare, përshëndetjet formale mund të ndodhin, por ne nuk duam të besojme se ka pasur më shumë se shtrëngim duarsh. Ajo që dihet është se Kosova nuk ka nevojë të fshehet prej Serbise, sepse, ne jemi fituesit e stabilitetit rajonal”, ka thënë Ramadani për RTK.

Thaçi e Tadic shtrëngojnë duart në Dubrovnik

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ish-Presidenti serb, Boris Tadic, ia kanë shtrënguar dorën njëri-tjetrit në Samitin e Dubrovnikut, njofton vecernji.hr.

Gjatë këtij shtrëngimi duarsh, Tadic ka thënë disa fjalë, por që nuk dëgjohen mirë në videon e publikuar nga portali kroat.

Më pas, Thaçi largohet dhe Tadic ua jep dorën Ministrit Enver Hoxhaj dhe Ministres Vlora Çitaku.

Më pas, Thaçi takon Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, i cili dëgjohet të thotë “Mirupafshim”.

Takimi i mundshëm Thaçi - Tadiq në Dubrovnik

Mediat kroate kanë paralajmëruar mbërritjen e papritur të ish-presidentit serb Boris Tadiq në takimin e nivelit të lartë “Croatia Summit” në Dubrovnik.

Sipas portalit Dnevnik, në kuadër të këtij samiti është e mundur që të takohen ish-presidenti serb Tadiq me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas portalit, ky do të ishte një takim i parë i një zyrtari të lartë të Kosovës me një politikan të lartë serb.

Takimi siç thuhet mund të vij pas vizitës së ndihmës sekretarëve amerikan të shtetit, Filip Riker dhe Filip Gordon në Beograd, të cilët kërkuan vazhdimin e negociatave me Prishtinën dhe respektimin e marrëveshjeve të deritanishme të arritur në negociatat që zhvillohen nën patronatin e BE-së në Bruksel.

Vizita e ish-presidentit serb dhe kryetarit aktual të Partisë Demokrate, Boris Tadiq është vlerësuar si një surprizë dhe e papritur për mediat kroate.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›