Thaçi: Çështja Limaj nuk duhet të personalizohet

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se në asnjë rang, politika nuk duhet të komentojë vendimet e organeve të drejtësisë duke precizuar se çështja Limaj nuk duhet të personalizohet në asnjë rrethanë si vendim i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve.
Në një intervistë për Kosovapress, kryeministri i Kosovës e cilësoi të suksesshme vizitën e tij në Nju Jork kuadër të delegacionit shtetëror nga Kosova.
Ai theksoi se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve ka marrë mbështetje për arritjet në vend, si dhe për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veri.
Shefi i ekzekutivit të Kosovës ripërsëriti se vendosja e policëve dhe doganierëve të Kosovës në veri ishte një veprim i domosdoshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.
Sipas Thaçit strukturat kriminale serbe, të cilat kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, do të përballen me organet e drejtësisë.