Thaçi fajëson UNMIK-un për veriun
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, fajësoi UNMIK-un për gjendjen në veri, që sipas tij ka ndikuar në ndarjen e qytetarëve nga pjesa tjetër e Kosovës dhe në mënyrë direkte ose indirekte ka ndihmuar strategjinë e Beogradit për vendosjen e strukturave paralele atje.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje e kishte thirrur kryeministrin Thaçi në interpelancë lidhur me gjendjen në veri, kreu i ekzekutivit tha se veprimet në veri janë duke u bërë në koordinim me faktorin ndërkombëtarë, ndërkaq sipas tij kjo është përgjegjësi shtetërore dhe jo debat me motive elektorale.
Të gjithë e dimë se situata në veri nuk është krijuar tani po prej 1999. Ne të gjithë e dimë dhe i kemi të freskëta veprimet gjenocidale të Serbisë, u shpreh Thaçi, duke shtuar se kjo politikë e Serbisë ekziston edhe tani, mirëpo në formë të kamufluar.
Sipas Thaçit, qytetarët e Kosovës në veri për herë të parë e kanë ndier ndihmën e shtetit të Kosovës.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se të gjitha që kanë ndodhur në veri lidhen me figurën e Thaçit.
Duke kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Thaçi për gjendjen në veri, Konjufca pyeti kreun e ekzekutivit se cili është plani për zhbllokimin e kësaj gjendjeje. Ai tha se është e rëndësishme që Thaçi të japë përgjegjësi për këta tre muaj, dhe po ashtu prej vitit 1999.
A ka marrëveshje prej vitit 99 për veriun e Kosovës. Kush dha urdhër në 99 të tërhiqen nga veriu…, ishin ndër pyetjet që Konjufca ia adresoi Thaçit.
Deputeti Konjufca më tej tha se ish komandanti Bekim Shyti në vitin 2005 ka thënë se i ka ardhur urdhër që të tërhiqen prej veriut të Kosovës.
Më tej, ai kërkoi nga Thaçi të dihet nëse ka marrëveshje me UNMIK-un që të mos preken strukturat paralele në veri.
Lëvizja Vetëvendosje në fund të kësaj seance, ku kryeministri Thaçi është në interpelancë për veriun do të paraqesë një mocion katër pikësh për miratim. / Koha Ditore