E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci fon qytetarët në veri për qetësi e bashkëpunim

PRISHTINE-  Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi sot të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Kosovës "për qetësi, për bashkëpunim të plotë, sepse këto angazhime janë në interes të vetë qytetarëve të asaj pjese të territorit të Kosovës, të hapjes së perspektivës zhvillimore, jetës së qetë, të sigurtë, hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes së investimeve të gjithanshme institucionale në veri".

"Operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve në veri është në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes, vendosjen e rendit dhe ligjit, për të krijuar siguri, paqe, integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në pjesën veriore të vendit", u shpreh kryeministri Thaçi në një deklaratë.

Ai tha se "Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lart përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre, po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit".

Në deklaratën e bërë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Thaçi dënon dhunën e ushtruar mbi ushtarët e forcës paqëruajtëse të KFOR-it nga ana e pjesëtarëve të strukturave kriminale në veri, dhe shton se eskalimi i dhunës nuk është në interes të askujt.
(s.g/atsh/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›