Thaçi i kënaqur me procesin e njohjes së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media e vlerësoi lartë punën e Qeverisë së tij në gjashtë muajt e kaluar.
Kreu i Qeverisë, tha se gjatë kësaj periudhe Kosova ka ecur me hapa të shpejtë, nga periudha e tranzicionit në shtetformim dhe njohje të saj.
“Gjashtë muajt e kaluar kanë qenë muaj historikë për popullin dhe vendin tonë. Një muaj pas formimit të institucioneve të reja, spektri politik kosovar, në koordinim me SHBA-në e BE-në, e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Më vonë u bënë edhe simbolet, kushtetuta, ndërsa Kosova u njoh nga shtetet më të forta demokratike të botës”, deklaroi Thaçi.
Lidhur me procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, Thaçi u shpreh i kënaqur.
“Krahasuar me vendet tjera që kanë shpallur pavarësinë së voni, storia e Kosovës është me e suksesshmja”, deklaroi Thaçi duke shprehur optimizmin se së shpejti do të pasojnë njohjet e Kosovën nga ana e shteteve Islamike.
Thaçi në këtë konferencë nuk përmendi disa nga problemet me të cilat çdo ditë ballafaqohen qytetarët e Kosovës. (INA)