Zjarret mbulojnë disa zona të vendit
Zjarr në Potam të Himarës
Një zjarr i madh në zonën e Potamit në Himarë ka trembur pushuesit e shumtë që kishin zgjedhur të kalonin ditën sot në këtë plazh. Zjarri ka rënë rreth orës 14:30, dhe është përhapur me shpejtësi në një kodër ku kishte plantacione me ullinj, duke zgjeruar sipërfaqen i ndihmuar edhe nga era.Në kodër ka dhe shtëpi banimi si dhe një lokal, të cilat janë rrezikuar, por sipas burimeve zjarri nuk ka prekur shtëpi. Me vonesë ka shkuar zjarrfikësja për shkak të largësisë, por ka ndihmuar shumë në lokalizimin e flakëve. Sipas burimeve tani duken vetëm dy vatra të vogla të cilat po vihen nën kontroll nga zjarrfikësja.
Zjarr në Palokastër, Gjirokastër
Një zjarr i madh i rënë sot në fshatin Palokastër të Gjirokastrës nuk është vënë ende nën kontroll. Tre mjete zjarrfikës po punojnë prej orësh për të lokalizuar zjarrin i cili është përhapur me shpejtësi prej erës së fortë.
Zjarri ka rënë rreth orës 10:00 dhe ka përfshirë 7 ha kullotë. Për të ndihmuar në fikjen e flakëve kanë dalë edhe banorët e zonës të cilët përveç kullotave u rrezikohen edhe shtëpitë.
Ky është rasti i dytë i rënies së zjarrit gjatë muajit gusht në rrethin e Gjirokastrës, pas atij në fshatin Terihat, ku u dogjën rreth 20 hektarë kullotë.
Zjarr në Malësinë e Madhe
Një zjarr që ka rrezikuar tre fshatra ka rënë sot në Malësinë e Madhe. Shkak i zjarrit është bërë një kamion që transportonte bar të thatë dhe që ka marrë flakë gjatë rrugës. Në rrezik të madh kanë qenë sot fshatrat Qarri i Sipërm, Demiraj, Grizhë, Cezëm, Meshqerraj.
Bari ka marrë flakë pasi ka takuar në telat e tensionit të lartë. Në rrezik kanë qenë edhe drejtuesi i mjetit, Tonin Franga, 45 vjeç dhe i biri të cilët kanë shuar flakët e trupit me ujin e një burimi aty pranë.
Deri tani janë djegur me mijëra ha tokë dhe pyje. Ndërjyrja e zjarrfikëseve ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor. Vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Zjarr në Divjakë
Zjarri ka mbuluar sot edhe Divjakën duke shkrumbuar 150 ha ullishte. Mendohet se këtu zjarri është vënë qëllimisht për të hapur kullota të reja në fshatin Shënapremte. Erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Zjarrëfikset dhe banorët e zonës kanë vënë situatën nën kontroll.