Thaçi i kërkon Kushtetueses, të sqarojë imunitetin

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi kërkoi të mërkurën nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Një vendim i tillë është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të sqarojë imunitetin e deputetëve, edhe imunitetin e posteve tjera, si presidentit, kryeministrit etj.
Ndërkaq, javën e kaluar EULEX-i kishte kërkuar që Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute të kërkoj nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve, në mënyrë që t`i hapë rrugë arrestimit eventual të deputetëve që janë nën hetime.
Një kërkesë të tillë u përkrah edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të. Madje, ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell ishte shprehur ashpër, duke thënë se kryeparlamentari Krasniqi ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë gjithë kohës ka kundërshtuar idenë që Kuvendi të nxjerrë rezolutë, me anë të të cilës do t`i kërkohej sqarim Gjykatës Kushtetuese lidhur me imunitetin e deputetëve. Ai ka kundërshtuar këtë rezolutë, me arsyetimin se kjo nuk është çështje që i përket Kuvendit të Kosovës. Kryeministri i vendit, në mbledhjen e Qeverisë ka vendosur që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, presidentit dhe kryeministrit.