Thaçi ka ngritje të besueshmërisë, Jahjaga dhe Krasniqi rënie

Sipas Atdhe Hetemit, menaxher i projektit në fjalë, Kryeministri i vendit së bashku me qeverinë që e drejton kanë shënuar ngritje të besueshmërisë, kurse Presidentja dhe kryetari i Kuvendit janë në rënie.
“Nëse i krahasojmë të dhënat me prillin e vitit 2012 se kënaqshmëria për punën e kryeministrit është ngritur për 4 për qind, gjersa ajo për punën e Qeverisë është ngritur për 6 për qind. Gjithashtu, ngritje të kënaqshmërisë vërehet në punën e gjyqeve. Nëse i krahasojmë të dhënat edhe në nëntorin e vitit 2011 kjo ngritje është nga 19, mandej 17 për qind në prill në 24 për qind në tetor të vitit 2012. Sa i përket kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e parlamentit dhe me punën e prokurorisë, të dhënat tona nuk tregojnë ndonjë ndryshim domethënës, mirëpo, një rënie e kënaqshmërisë vërehet në punën e kryetarit të Parlamentit, diku rreth 3 për qind. Gjithashtu një rënie e kënaqshmërisë, diku rreth 7 për qind, vërehet me punën e Presidentes”, ka thënë ai.
Po ashtu, sipas të dhënave të raportit, shumica e qytetarëve të Kosovës, afro 70 për qind e tyre, janë të pakënaqur me orientimin tash për tash politik të vendit. Po ashtu, mbi 75 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur edhe me orientimin ekonomik të qeverisë. Lidhur me pakënaqësinë e qytetarëve për orientimet e gabuara të qeverisë në fushën e politikës dhe të ekonomisë, rreth 78 për qind e qytetarëve e fajësojnë Qeverinë e Kosovës.
Po ashtu, në këtë raport përmendet se afro 42 për qind e qytetarëve mendojnë se problemi kryesor në vend është papunësia, pasuar me 20 për qind të qytetarëve që mendojnë se është varfëria, kurse 8 për qind prej tyre mendojnë se çmimet e larta janë problem i madh.
Në raport përmendet edhe ngritja e përqindjes së atyre qytetarëve që mendojnë se punësimi në institucione publike bëhet në mënyrë jomeritore.
“Që nga qershori i vitit 2011 deri në tetor të vitit 2012 përqindja e atyre që mendojnë se punësimi në institucione publike është i pamerituar është ngritur nga 67 në 82 për qind. Kemi një ngritje të madhe. Për të krijuar treguesin e bazave pa meritore janë përdorur indikatorët ose pyetjet si nëse qytetarët e Kosovës mendojnë se janë lidhjet familjare, korrupsioni ose ryshfeti, apo anëtarësimi në parti politike si dhe dukja e jashtme një prej mënyrës për të gjetur punë në sektorin publik. Shumica e qytetarëve mendojnë që këta faktorë janë më të rëndësishëm për të gjetur punë në sektorin publik”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket pyetjeve se çka mendojnë qytetarët për punësimin e njerëzve në institucione publike në baza meritore, raporti nxjerr se vetëm 13 për qind e njerëzve mendojnë se për të gjetur punë në sektorin publik është i rëndësishëm edukimi, përvoja profesionale dhe trajnimet e ndryshme profesionale.
Raporti vë në pah edhe problemin e rritjes së korrupsionit në institucione publike.
“Të dhënat tona tregojnë se përqindja e qytetarëve që mendojnë se ka prezencë të madhe të korrupsionit në institucione publike është rritur nëse e krahasojmë me prillin e vitit 2012. Për shembull, për KEK-un të dhënat e tetorit tregojnë se 54 për qind e qytetarëve mendojnë se ka prezencë të lartë të korrupsionit”, ka thënë ai.
Për dallim nga herët e tjera, në pyetësorin e anketës nuk është përfshirë çështja e veriut të Kosovës, dhe këtë Hetemi e arsyeton me atë se anketa ka pasur shumë pyetje dhe ato për veriun janë zëvendësuar me pyetje të tjera.
Në këtë anketë janë përfshirë 1300 persona nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës. /kosovapress/