Thaçi kërkon nga qytetarët maturi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhje për humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, pas shpërthimit i cili ndodhi të premten në mëngjes në Mitrovicë. Ai i ftoi qytetarët të jenë të matur, ndërkaq nga organet kompetente kërkoi që të zbardhen rrethanat e këtij rasti. "Siç jeni të informuar, Qeveria e Republikës së Kosovës sot në mëngjes ka hapur një Qendër-zyrë për Shërbime Civile në veri të Mitrovicës. Kjo qendër do të ofrojë shërbime që janë shumë të nevojshme për të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë", tha Thaçi. Në këtë qendër do të punojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të autoriteteve lokale të Komunës së Mitrovicës. Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve do të mund të pajisen me dokumente të ndryshme personale për nevojat e tyre. "Kjo qendër iu shërben të gjithë qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës dhe nuk paraqet asnjë rrezik për askënd. Përkundrazi", thuhet në një deklaratë të kryeministrit.