Thaçi në Bërdo: Kosova, e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë
Samiti i shteteve të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Bërdo afër Kranjit në Slloveni, përfundoi me sukses. Në konferencën Së bashku për Bashkimin Evropian: kontributi i Ballkanit Perëndimor për ardhmërinë e BE morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë, përveç Serbisë. Kryeministrat e Sllovenisë, Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës,
Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë miratuan njëzëri deklaratën përfundimtare me të cilën përshëndesin futjen në fuqi të Marrëveshjes së Lisbonës. Ata rikonfirmuan vullnetin e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe plotësimin e kushteve të parashikuara në këtë proces. Pjesëmarrësit i bëjnë thirrje BE, që procesi i anëtarësimit të vendeve të Evropës Juglindore të mbetet një prej prioriteteve në axhendën e tij. Në këtë konferencë, gjatë fjalës së tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ritheksuar vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në rritjen e nivelit të komunikimit dhe bashkëpunimit rajonal. Unë besoj se raportet tona fqinjësore vazhdojnë të dëshmojnë për rajonin tonë, por edhe më gjerë, se pavarësia e Kosovës është faktor i paqes dhe stabilitetit rajonal, duke sjellë edhe më shumë bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, tha Thaçi, duke shtuar se kjo konferencë paraqiste një shans shumë të mirë për të prezantuar vizionet për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim, me qëllim integrimin në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim ai informoi se Republika e Kosovës po punon fuqishëm që të bëhet sa më parë pjesë e NATO dhe BE. Sipas kryeministrit, Kosova ka ndërtuar raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit, me Maqedoninë, me Malin e Zi, me Shqipërinë, me Kroacinë dhe Slloveninë, dhe është e interesuar që në një të ardhme të afërt të ndërtojë raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura. Kosova është e gatshme të bashkëpunojë edhe me Serbinë për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë, veçoi Thaçi në fjalën e tij në sesionin plenar të konferencës. Kryeministri i Kosovës, në lidhje me mospjesëmarrjen e Serbisë tha se takimi është rrugë në kahun e duhur dhe se të gjitha shtetet duhet ta kuptojnë se është në interes të tyre të marrin pjesë. Republika e Kosovës punon shumë për tu bërë anëtare e NATO dhe BE, tha Thaçi. I pyetur se si e komenton faktin që Serbia si shtet i rajonit nuk merr pjesë në konferencë, kryeministri i Kosovës tha se vizioni është bashkëpunimi, e jo bojkoti. Presidenti serb e bojkotoi këtë konferencë, ku kanë marrë pjesë udhëheqësit e rajonit si dhe përfaqësues të BE, për shkak të prezencës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Beogradi, nuk njeh pavarësinë e Kosovës ndaj nuk pranon të marrë pjesë nëpër takime ku përfaqësues të saj prezantohen si anëtarë të një shteti të pavarur. Kjo tregon ndarjen e thellë rajonale edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga shpërbërja e Jugosllavisë. Samiti në Bërdo është organizuar bashkërisht nga kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, dhe kolegia e tij kroate, Jadranka Kosor, ndërsa kanë marrë pjesë të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, e cila ka refuzuar të shkojë në takim për shkak se nuk janë përmbushur kushtet që ajo kishte parashtruar rreth pjesëmarrjes së Kosovës.
Stefanovicc: Prania në samit, njohje e Kosovës
Pjesëmarrja e Serbisë në samitin e Sllovenisë do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës. Kështu ka deklaruar drejtori politik në Ministrinë e Jashtme serbe, Borislav Stefanovicc, i cili ka theksuar se Kosova duhet të përfaqësohet kudo nga UNMIK. Stefanovicc ka shprehur gjithashtu bindjen e tij se mungesa e Serbisë në këtë samit nuk do të ketë pasoja për procesin e integrimit. Vija jonë e kuqe dihet, ajo është prania e përfaqësuesit te UNMIK. Kushti i Serbisë është parimor dhe mbetet në fuqi përsa i përket politikës së shtetit. Vetëm UNMIK e përfaqëson Kosovën në tubimet ndërkombëtare, ka pohuar Stefanovicc.