E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi ngushëllon familjen Xhaferi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen Xhaferi me rastin e vdekjes së politikanit, publicistit dhe intelektualit të shquar shqiptar, Arben Xhaferi.

"Vdekja e hershme e Arben Xhaferit është humbje e jashtëzakonshme për Ju, familje Xhaferi, për botën shqiptare, për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të. Arben Xhaferi ishte profil i lartë i politikanit, mendimtarit dhe vizionarit që la gjurmë të ndritur dhe kontribut të çmuar në jetën politike jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë hapësirën shqiptare. Arben Xhaferi shquhej për mprehtësinë politike, thellësinë intelektuale, transparencën e ideve dhe konceptimin global të çështjes shqiptare. Arben Xhaferi la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve, duke artikuluar individualitetin e tij në parti politike, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin analitik, sintetizues dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual. Me vdekjen e Arben Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndrituar të qytetërimit shqiptar. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, Ju familje Xhaferi, miqve dhe gjithë atyre që çmojnë dhe vlerësojnë kontributin e gjithanshëm të Arben Xhaferit", thuhet ne telegramin e Kryeministrit Thaçi.

Mustafa ngushëlloi familjen Xhaferi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Xhaferi dhe kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të PDSH-së, Arben Xhaferi.

“E nderuara familje Xhaferi, i nderuarui z. Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të z. Arben Xhaferi, themeluesit të Partisë Demokratike Shqiptare, prijësit të shqiptarëve në Maqedoni dhe intelektualit të shquar. Në emrin tim, në emër të strukturave drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të anëtarësisë së gjerë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe. Z. Arben Xhaferi do të mbahet mend përherë për veprën e madhe në shërbim të kombit. Ai i dha frymë intelektuale dhe evropiane sjelljes politike të shqiptarëve në Maqedoni. Z. Arben Xhaferi ishte një nga politikanët më të shquar shqiptarë të dekadave të fundit. Ndarja e tij nga jeta, është humbje e madhe, jo vetëm për njerëzit e tij të dashur, por për të gjithë shqiptarët kudo. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!”, thuhet në ngushëllimin e Mustafës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›