Deda: Qeveria aktuale jashtëzakonisht e dobët që të hyjë në procese serioze

"Unë kam treguar atë që është në plan, që një qeveri më fortë do të ishte ajo, e cila do të mund të hynte në proces të dialogut politik me Serbinë, ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Të tjerët e quajnë atë UÇK - Qeveri, por në të njëjtën kohë mendoj se duhet të ketë shumë më shumë pjekuri te çdo parti politike në Kosovë dhe çdo lider politik ta kuptojë seriozitetin e situatës. Kosova duhet ta gjejë zërin e vet në këto plane që po bëhen për ne dhe atë zë ta unifikojë aq sa mundet, t’ia shprehë BE-së, SHBA-së, dhe të dalë para tyre si palë e tretë. Do të thotë, nuk mund të negociojë bashkësia ndërkombëtare me Serbinë, me Kosovën në të njëjtën kohë, po nëse janë tri palë, të cilat negociojnë, duhet të jenë tri pozita të ndryshme. Sa i takon koalicionit, mund të ndodhë ose mund të shkohet në zgjedhje të shpejta, po një gjë që është e qartë është se përbërja aktuale e Qeverisë apo Qeveria aktuale, është jashtëzakonisht e dobët që të hyjë në procese serioze politike", thotë Deda në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ndërsa sa i përket bisedimeve Kosovë - Serbi, Deda thotë se ato i kanë dy qëllime, sipas agjendës së bashkësisë ndërkombëtare. Një është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë - Serbi dhe e dyta është një status i avancuar i veriut.
"Kjo Qeveri nuk mund të hyjë vetëm dhe nuk duhet të hyjë vetëm në këto bisedime, sepse është jashtëzakonisht e dobët dhe kjo dobësi shihet në afinitetin e saj që të bëjë kompromise jo të mira për Kosovën, siç ishte rasti i fusnotës; 12 44 në fusnotë. Dy, ju e shihni se sa e lehtë është bërë nga bartësit institucionalë që të ndërrohen qëndrimet politike prej refuzimit të pasjes së dialogut politik me Serbinë dhe tash e shohim ofensivën e tyre mediale që të tregojnë se kjo është një gjë e mirë. Do të thotë, Qeveria është joserioze dhe për dialog politik me Serbinë duhet të ketë një seriozitet shumë më të madh dhe një konsensus sa më të gjerë të shoqërisë dhe të forcave politike në Kosovë. Kështu që Kosova duhet të mendojë se çfarë duhet bërë. Është jashtëzakonisht dëshpëruese të shihet se nuk ka pjekuri politike te partitë politike në Kosovë që të ulen dhe të bisedojnë se kah po shkon Kosova, cilat janë këto procese përpara dhe çka të bëhet në këto procese, por pritet që të na unifikojë faktori ndërkombëtar. Kjo nuk është një pjekuri politike e një shteti evropian", tha Deda.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare është lodhur nga Ballkani, e ata e shohin çështjen e vetme të pazgjidhur raportet Kosovë-Serbi edhe duan sa më shpejt që ta zgjidhin këtë raport duke e çuar këtë që po e quajmë të gjithë, normalizimin e raporteve, dhe në pragmatizmin e bashkësisë ndërkombëtare, ata mendojnë se me një status të posaçëm do të mbyllin çështjet e hapura.
"E, përkundrazi, nëse do të ketë një status të posaçëm të veriut, ai në një afat tre deri në pesë vjeçar do të shpie në destabilizim të rajonit", theksoi Deda.