Thaçi prish agjendën e Tadicit, takohet me Obamën të premten

Vizita e tij i ka prishur agjendën presidentit serb Boris Tadiq, i cili këto ditë gjithashtu pritej të qëndrojë për vizitë në Uashington.
Kryeministri Hashim Thaçi sipas të gjitha gjasave do të takohet më 6 prill me Presidentin amerikan, Barack Obama.
Thaçi është i shoqëruar nga ministri i jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministrja për evrointegrime, Vlora Çitaku. Gjatë qëndrimit në SHBA, delegacioni kosovar do të ketë takime edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, zëvendës-presidentin amerikan Joe Biden, sekretaren amerikane Hillary Clinton, ish-sekretaren Medlin Ollbrajt si dhe takime me kongresmenë e senatorë amerikan.
Analisti politik serb Obrad Kesiq ka deklaruar për B92 se edhe Tadiq këtë javë duhej të vizitonte presidentin Obama, por ajo nuk ka ndodhur sipas tij, sepse delegacioni serb nuk ka dashur që vizita e tij të jetë e përafërt me ardhjen e kryeministrit Thaçi në Uashington. Sipas tij, kjo vizitë ka rëndësinë e saj për kryeministrin Thaçi, pas arritjes së marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. (INA)