E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj ngushëllon Sekretaren, Hillary Clinton

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, pas atentatit kriminal që ka ndodhur dje në Universitetin e Oikos në Oakland të Kalifornisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Ministri Hoxhaj ka shprehur shqetësimin dhe pikëllimin e madh për këtë akt kriminal, i cili, sipas informacioneve të deritashme, ka shkaktuar gjashtë viktima dhe tre të plagosur në mesin e qytetarëve të pafajshëm të SHBA-ve.

Ministri Hoxhaj në telegram ka shprehur solidaritetin e plotë të qytetarëve të Republikës së Kosovës me popullin e SHBA-ve në këto momente të vështira, duke shprehur shpresën që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë botën.

“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po bashkëndjen në çdo moment dhembjen dhe pikëllimin me familjet, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre, duke iu bashkuar lutjeve me popullin amerikan që të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, thuhet në telegram.

Ministri Hoxhaj ka shprehur konsideratat më të larta për autoritetet amerikane për punën e jashtëzakonshme që po bëjnë për tejkalimin e situatës së krijuar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›