Thaçi pritet te vizitojë Haradinajn në Hagë
Për shkak se Tribunali i Hagës të enjten anuloi vendimin për lirimin e përkohshëm të Ramush Haradinajt nga paraburgimi, kryeministri në largim i Kosovës dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi pritet që gjatë javës së ardhshme të udhëtojë në Hagë për ta takuar liderin e AAK-së.
Lajmin e kanë bërë të ditur burime të PDK-së të afërta me kryeministrinë.
Në fillim të tetorit ishte mbajtur një takim i strukturave udhëheqëse të dy partive, PDK dhe AAK, me qëllim të arritjes së një konsensusi për krijimin e një strategjie të përbashkët lidhur me bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, temë bosht e së cilave do të jetë veriu i vendit.
Bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht BE dhe SHBA, kanë bindur Prishtinën dhe Beogradin për fillimin e dialogut për ta mbyllur kapitullin e stabilitetit të vendit dhe pritet që këto bisedime të fillojnë pas formimit të qeverisë së re, e cila do të dalë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.