Përplasen pa fund
Debati i nxehtë parlamentar ndërmjet pozitës dhe opozitës rreth Raportit të Progresit duket se i ka lodhur deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata kanë lëshuar seancën e së martës, pa e pritur fundin, ndonëse, shumica prej tyre nuk janë kursyer me kritika ndaj Qeverisë së Kosovës.
Seanca ka përfunduar pa ndonjë konkluzion rreth rekomandimeve, të cilat i ka prezantuar Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa votimi është shtyrë për ndonjë seancë tjetër, në mungesë të kuorumit. Por kur kanë debatuar për Raportin e Progresit për Kosovën, ligjvënësit janë shfaqur të ashpër. Deputeti Ismet Beqiri në emër të LDK’së, e cila ka kërkuar këtë debat, ka thënë se Raporti ka qenë i pritur. “Fjala e cila i shkon më së paku këtij Raporti është progres”, tha Beqiri.
Ai ka përmendur së pari keqpërdorimet në zgjedhjet e fundit, të cilat sipas tij, prodhuan një qeveri megalomane.
“Kemi një Qeveri megalomane, që politikën e ka sport, e sportin politikë. Me një Qeveri të tillë, më së paku veprohet në drejtim të reformave”, ka thënë Beqiri.
Ai ka dhënë edhe katër rekomandimet e partisë së tij duke kërkuar mbështetjen e legjislativit për miratimin e tyre. E këto rekomandime përfshijnë intensifikimin e reformat në të gjitha fushat, sidomos në reformën zgjedhore, angazhimin e Kuvendit për përgatitjen e ligjeve të domosdoshme për të gjitha reformat ekonomike, politike dhe sociale, përgatitjen e një programi veprues të Qeverisë në bazë të të gjeturave të Raportit të Progresit dhe sigurimin e një sinergjie të Kuvendit, Qeverisë, ministrive, komunave dhe institucioneve të tjera për plotësimin e të gjitha kritereve, ekonomike, politike dhe sociale.
Beqiri ka kërkuar nga Kuvendi që të trajtojë çdo tre muaj progresin në plotësimin e kërkesave të Raportit të Progresit. Kritikave të deputetit Beqiri iu është përgjigjur Kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka kundërshtuar pohimin e Beqirit, se fjala progres nuk mund të zërë vend në këtë raport.
Thaçi ka kërkuar që të respektohet ndarja e pushteteve dhe të mos i ngarkohen Qeverisë edhe përgjegjësitë e legjislativit dhe gjyqësorit. “Raporti është për Kosovën, jo për Qeverinë. Pushtetet janë të ndara, edhe legjislativi, edhe gjyqësori, edhe ekzekutivi. Gjithçka që i takon ekzekutivit. i marrim përgjegjësitë”, tha Thaçi duke kërkuar nga ligjvënësit që gjatë këtij debati t’i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe të japin ide dhe rekomandime që shërbejnë për një agjendë të përbashkët evropiane.
Sidoqoftë, opozitarët nuk janë kursyer me kritikat e tyre.
Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, përveç që e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, i ka ironizuar deklaratat e Kryeministrit. “Të gjithë kanë faj, përveç Qeverisë së Kosovës. Edhe shoqatat e peshkatarëve kanë faj, por Qeveria jo”, tha ai.
Gjini, duke folur për ndërhyrjen e politikës në drejtësi, tha se shokët e kryeministrit janë ata që janë të dënuar për vepra penale dhe nuk shkojnë ta vuajnë dënimin. E ndaj pohimeve të Gjinit është përgjigjur Thaçi.
“Do ta kursej parafolësin, sepse pastaj do të jetë një debat i rëndë, në kuptimin edhe politik, edhe ligjor edhe moral”, tha Thaçi.
E deklaratat e tij, Gjini i ka marrë si kërcenim publik ndaj tij. “Nëse më thotë mua kështu, paramendoni se çka ju thotë të tjerëve me SMS”, ka thënë Gjini.
Kryeministri Thaçi i është kundërpërgjigjur sërish deputetit të AAK’së. “Ardian, paske marrë të trembur diçka, por asgjë nuk ka të bëjë me ju. Në debatin që ju e ngritët, unë ju kurseva dhe përsëri po ju kursej nga të këqijat tuaja”, ka thënë Thaçi. Për punën e Qeverisë në superlativ ka folur edhe shefi i Grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ndërsa, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se teksa dëgjoi Kryeministrin Thaçi dhe deputetin Grabovci, iu krijua përshtypja se nuk e ka lexuar mirë Raportin e Progresit të Komisionit Europian.
“Derisa dëgjova Kryeministrin dhe deputetin Grabovci fillova të mendoj në mos e kam lexuar gabim Raportin... Kjo qeveri nuk ka aftësi të dizajnojë një politikë të mirëfilltë ekonomike, Raporti potencon që Qeveria ka ndërmarrë hapa që në masë të madhe e kanë dëmtuar ekonominë e vendit”, tha Ymeri.
Ndërsa, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi ka kërkuar mirëkuptim të deputetëve duke iu thëne se e kupton këndvështrimin e tyre si opozitë. “Qeveria pret seriozitet në trajtim të Raportit, sepse është një vlerësim që qytetarët e kanë për ne përmes këtij raporti. I kuptojmë qëndrimet edhe nga prizmi i pozitës edhe opozitës”, tha ai.
Diskutohet tenderi i “Aganëve”
Deputetja e AAK’së, Donika Kada- Bujupi, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës, ka përmendur edhe dhënien e tenderit për asgjësimin e barnave nga Ministria e Shëndetësisë. Tender ky, i cili i është dhënë kompanisë së Shpend Aganit, i cili është i afërm i Ministrit Ferid Agani. Ky i fundit ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes Kada- Bujupi, duke thënë se Shpend Agani është kushëri i kushëririt të tij. Konfrontimit të Ministrit dhe deputetes së AAK’së iu ndërhyri nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, i cili replikoi Ministrin Agani. “Po e pranoi që e ka kushëri”.
Debat edhe për shërbimet sekrete
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi ka kthyer në debat edhe temën e strukturave paralele të inteligjencës.
Sipas tij, dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, i mbajnë ende funksionale strukturat e tyre paralele. “Më vështirë është t’i luftosh këto struktura paralele të sigurisë të partive politike, sesa strukturat kriminale në Veri. Në Veri mund t’i luftojmë strukturat kriminale, sepse e kemi ndihmën e ndërkombëtarëve, e kemi unitetin kombëtar dhe të gjithë pajtohemi se duhet t’i luftojmë”, ka thënë Krasniqi.
Ndaj deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, ka reaguar kryesisht LDK’ ja, e cila e ka mohuar ekzistimin e shërbimit të saj paralel të inteligjencës.