Përplasen në Kuvend “partnerët e ardhshëm”

Ardian Gjini ka hedhur “gurë” në drejtim të Qeverisë dhe personalisht ndaj kryeministrit Thaçi, në fjalën e tij në debatin për Raportin e Progresit, por kryeministri Thaçi nuk ka reaguar.
Kjo sjellje e qetë e kryeministrit në raport me AAK-në, vjen në një kohë kur është raportuar se ai ka pasur disa takime me zyrtarë të AAK-së, si një përpjekje për afrim, në mënyrë që nëse jo në këtë mandat, të paktën në mandatin e ardhshëm të ketë një koalicion mes PDK-së dhe AAK-së.
“Të gjithë kanë faj, përveç Qeverisë së Kosovës. Edhe shoqatat e peshkatarëve kanë faj, por Qeveria jo”, ka thënë Gjini, përderisa duke folur për ndërhyrjet politike në drejtësi ka thënë se shokët e kryeministrit janë të dënuar për vepra penale dhe nuk shkojnë ta vuajnë dënimin.
Gjini ka thënë se kjo qeveri nuk mund ta ndryshojë trendin në të cilin ka hyrë Kosova, sepse këta e kanë sjellë këtë trend, këta e kanë ngulfatë sistemin e ndërtimit të shtetit, sepse të njëjtit njerëz i kanë futur njerëzit e tyre nëpër shkolla, nëpër administratë etj, dhe ata iu kanë ndihmuar në manipulimin e zgjedhjeve, të cilat i ka evidentuar Raporti i Progresit.
“Kosova vendi ynë i dashur me këtë kulturë pune nuk mund të ndryshojë. Krejt çka mund të bëjmë ne është t’ua mbushim mendjen që të ecin vetë”, ka thënë Gjini.
Kjo ka nxitur kryeministrin Thaçi ta marrë fjalën, por jo t’i kundërpërgjigjet Gjinit për çështjet tjera, por vetëm për ato që kanë të bëjnë me Raportin e Progresit.
“Do ta kursejë parafolësin, sepse pastaj do të jetë një debat i rëndë, në kuptimin edhe politik, edhe ligjor edhe moral”, ka thënë Thaçi, ndërsa ka vazhduar të flas për sukseset e Qeverisë së Kosovës gjatë këtij viti.
Por deputeti i AAK-së, Ardian Gjini ka reaguar, duke e marrë këtë si kërcënim ndaj tij, duke thënë se në këtë rast mungoi vetëm “pasoja fizike” të përmendet.
“Kjo është legjislatura e katërt e Kuvendit prej pasluftës. Tri prej tyre i ka kontrolluar zoti Thaçi, disa si parapolitikë e disa si kryeministër. Deri në këtë legjislaturë nuk ka ndodhur kryeministri t’i kërcënojë deputetët. Le të mbetet e shënuar që sot kryeministri mua më tha se do të kesh pasoja legale dhe morale nëse flet. Nëse më thotë mua kështu, paramendoni se çka ju thotë të tjerëve me SMS”, ka thënë Gjini.
Ndërsa kryeministri Thaçi i është kundërpërgjigjur sërish në mënyrë të ftohtë deputetit të AAK-së.
“Ardian paske marrë trembur diçka, por asgjë nuk ka të bëjë me ju. Në debatin që ju e ngritet unë ju kurseva dhe përsëri po ju kursej nga të këqijat tuaja”, i ka thënë Thaçi deputetit Gjini.
Ndërkohë, kreu i ekzekutivit ka vazhduar me elozhetë për punën e Qeverisë së Kosovës, duke përmendur aspekte të ndryshme, ndërkaq ka rikujtuar edhe luftimin e krimit të organizuar, duke thënë se deri tani janë shkatërruar 11 grupe kriminale, kurse ka pyetur opozitarët që ishin në pushtet para vitit 2007, se çfarë aksioni kundër krimit të organizuar është marrë para këtij viti.
Duke folur më tej, Thaçi ka ftuar gjithë ligjvënësit që të marrin pjesë të shtunën në përurimin e 38 kilometrave të parë të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Për punën e Qeverisë me vlerësime të larta ka folur edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndërsa Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se teksa dëgjoi kryeministrin Thaçi dhe deputetin Grabovci, iu krijua përshtypja se nuk e ka lexuar mirë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Ymeri ka rikujtuar me këtë rast faktin që në Raportin e Progresit thuhet se ka kufizim të progresit në reformën e administratës publike, thuhet se Qeveria nuk ka plan për këtë reform, po ashtu në këtë raport sipas tij, flitet për ndikimin e Qeverisë në media, për punësimet politike, për regresin dhe ndërhyrjen e politikës në gjyqësi etj. Ndërsa për ekonominë ka thënë se kjo Qeveri nuk ka aftësi të dizajnoj një politikë të mirëfilltë ekonomike, dhe se deri më tani, sipas sipas tij, Raporti i Progresit konstaton se qeveria ka ndërmarrë hapa që në masë të madhe e kanë dëmtuar ekonominë e vendit.
Debat me akuza të ndërsjella për Raportin e Progresit
Debati parlamentar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka nisur me akuza të ndërsjella ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Ismet Beqiri në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës si kërkuese e këtij debate, që në fillim të fjalës së tij, Qeverinë e Kosovës e ka quajtur megalomane dhe qeveri shpenzuese, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar që debati për Raportin e Progresit mos të përdoret për fushatë elektorale.
Pasi ka arsyetuar kërkesën për këtë debat parlamentar, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo seancë duhet të shërbejë për atë që të shihet se cila është e vërteta për Kosovën, në mënyrë që mos të prezantohet ashtu siç po prezantohet si raport i të arriturave.
“Për LDK-në ku raport ka qenë i pritshëm. Raporti i Progresit për periudhën tetor 2010 – shtator 2011 është shqetësues për LDK-në, është raport që më së paku i shkon fjala progres. Janë shqetësuese konstatimet e këtij raporti për të gjitha fushat në Kosovë”, ka thënë Beqiri.
Me këtë rast, ai ka përmendur evidentimet në Raportin e Progresit, duke nisur nga keqpërdorimet në zgjedhjet e fundit, të cilat sipas Beqirit, prodhuan një qeveri harxhuese, që po e dërgon Kosovën drejt kolapsit, një qeveri që ka dështuar në procesin e privatizimit, një qeveri që ka dështuar në reformimin e administratës publike, që punëson dhe rritë numrin e ministrive pa kurrfarë kriteresh.
“Kemi një qeveri megalomane, qeveri që politikën e ka sport, e sportin politikë. Me një qeveri të tillë, më së paku veprohet në drejtim të reformave. Integrimi ynë evropian është iluzion, sundimi i ligjit është larg nevojave, korrupsioni është një prej më të këqijave që e rrezikojnë vendin tonë”, ka thënë Beqiri.
Ai nuk ka pritur përfundimin e debatit për të dhënë rekomandimet e LDK-së lidhur me këtë çështje, duke kërkuar mbështetjen e ligjvënësve.
Katër rekomandimet e LDK-së, përfshijnë intensifikimin e reformat në të gjitha fushat, sidomos në reformën zgjedhore, angazhimin e Kuvendit për përgatitjen e ligjeve të domosdoshme për të gjitha reformat ekonomike, politike dhe sociale, përgatitjen e një program veprues të Qeverisë në bazë të të gjeturave të Raportit të Progresit dhe sigurimin e një sinergjie të Kuvendit, Qeverisë, ministrive, komunave dhe institucioneve tjera për plotësimin e të gjitha kritereve, ekonomike, politike dhe sociale.
Beqiri ka thënë se Kuvendi duhet të trajtojë në çdo tre muaj progresin në plotësimin e kërkesave të Raportit të Progresit.
Kryeministri Hashim Thaçi fillimisht ka kundërdërshtuar pohimin e Beqirit, se fjala progres nuk mund të zërë vend në këtë raport, duke thënë se askush nuk mund ta ndryshojë këtë formulim, sikur që nuk mund t’i mohojë as të arriturat e Kosovës.
Por ka shtuar se duhet të dihet qartë ndarja e pushteteve dhe mos t’i ngarkohen qeverisë edhe përgjegjësitë e legjislativit dhe gjyqësorit.
“Ky debat nuk duhet të jetë elektoral, por përmbajtjesor dhe substancial. Raporti është për Kosovën, jo për qeverinë. Pushtetet janë të ndara, edhe legjislativi, edhe gjyqësori, edhe ekzekutivi. Gjithçka që i takon ekzekutivit i marrim përgjegjësitë. Parafolësi harroi ta përmend legjislativin. Qeveria distancohet nga ky trajtim i njëanshëm dhe elektoral”, ka thënë Thaçi.
Ai ka ftuar ligjvënësit që gjatë këtij debati t’i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe të japin ide dhe rekomandime që shërbejnë për një agjendë të përbashkët evropiane.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se sfidat e Raportit të Progresit, janë në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në përputhje me qëllimet institucionale për sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, reformën e gjyqësorit dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Ndërkaq kryetari i Komisionit për integrime evropiane, Lufti Haziri ka thënë se për herë të parë gjuha në këtë raport dallon, është më e ashpër, më eksplicite dhe i referohet gjendjes në Kosovë, duke dashur që t’i tregojë popullit të Kosovës se mbikëqyrja është deri në detaje.
Ndryshe, debati për Raportin e Progresit do të vazhdojë me diskutimet e deputetëve, të cilat është paralajmëruar se do të jenë të shumta, ngase përmbi 60 deputetë kanë shprehur interesim të flasin për këtë çështje, ndërkaq pritet që në fund të votohet për ose kundër rekomandimeve të Grupit Parlamentar të LDK-së.