Thaçi takon amb. Fitou: Franca mbështetje Kosovës
Ai, po ashtu është shprehur se do të angazhohet për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Duke vlerësuar lartë ndihmën dhe përkrahjen e Francës për Kosovën, si dhe bashkëpunimin e mirë të ndërtuar ndërmjet dy vendeve, kryeministri Thaçi është angazhuar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen, bën të ditur zyra e shtypit e qeverisë. "Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë angazhimet e saj për të ndërtuar marrëdhënie të mira dhe shumë të afërta me të gjithë miqtë që e kanë mbështetur Kosovën dhe popullin e saj në rrugën e demokratizimit dhe të shtetndërtimit", ka thënë kryeministri Thaçi. Ambasadori francez, Jean-François Fitou, i cili ka filluar takimet njohëse, dje është pritur nga kryeparlamentari kosovar, Jakup Krasniqi, ku ka theksuar se "Franca është shumë e interesuar për integrimet evropiane të Kosovës".