SHBA mbështet integrimin e veriut të Kosovës
Qëndrimin e SHBA-së e ka ritheksuar zv-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, në një intervistë ekskluzive për "Zërin e Amerikës" në gjuhën serbe. "Kosova nuk është një rajon për të cilin ne do të mbështesnim ndarjen apo ndonjë skenar të jashtëzakonëm. Dua të jem shumë i qartë, SHBA-të e kanë njohur Kosovën. Dhe ne jemi të përkushtuar ndaj integritetit territorial të saj", theksoi Xhons. Ai shtoi se, Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e veriut në institucionet e Kosovës dhe janë të mendimit se është e rëndësishme për Prishtinën ta bëjë popullatën serbe që jeton në pjesën veriore të Kosovës të ndjehet pjesë e saj dhe të investojë në prosperitetin e kësaj republike të re. Duke folur për pengesat në realizimin e bashkëpunimit më të afërt të SHBA-ve me Serbinë, Xhons tha se pengesat kryesore kanë të bëjnë me pikëmapjet e ndryshme. "SHBA-të e konsiderojnë Kosovën Republikë, pavarësia e së cilës është e pakthyeshme", ka nënvizuar Xhons. "Qëndrimi ynë është i fortë. Beogradi ka një qëndrim tjetër, se Kosova edhe më tej është pjesë e Serbisë. Në fund patjetër duhet të gjejmë një zgjidhje. 65 vende tashmë e kanë njohur Kosovën. Ajo është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pra, trendi është evident", është shprehur Xhons, duke shtuar se respektimi i pavarësisë së Kosovës është thelbësor për rajonin në tërësi. Ai rikujtoi se vendet e tjera të rajonit e kanë njohur Kosovën tha se SHBA-të dëshirojnë që Serbia t'u bashkohet atyre.