Sekretarja Klinton do të nisë turin në Ballkan
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton do të nisë ditën e nesërme turin e saj në Ballkan, destinacioni i parë i së cilës do të jetë Sarajeva (11 tetor), e më pas Kosova e Serbia. Vizita e kryediplomates amerikane u paralajmërua pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku u miratua rezoluta serbe për Kosovën, me anë të të cilës kërkohet rifillimi i dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. SHBA-të edhe më herët kanë shprehur mbështjetjen e tyre për sovranitetin e Kosovës dhe tërësinë territoriale të saj dhe për këtë arsye mendohet se Klinton do t’u bëjë thirrje autoriteteve serbe, që të tërhiqen nga çfarëdo synimi për bisedime rreth statusit të shtetit të ri. SHBA-të përsëritën përmes ndihmëssekretarit për çështjet europiane në Departamentin e Shtetit, Filip Gordon, se çështja e kufijve dhe e sovranitetit të Kosovës, në asnjë mënyrë nuk do të jetë pjesë e dialogut të shumëpërfolur.
Axhenda
Nesër në datë 11 tetor, Sekretarja Klinton do të vizitojë Bosnjën dhe Herzegovinën, më pas Serbinë, Kosovën më 13 tetor dhe Brukselin në datën 14. Në prishtinë, Klinton do të takohet me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqin, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Klinton do të vizitojë dhe Graçanicën ku do të takohet me drejtuesit e komunës atje. Në Prishtinë ajo do të bisedojë me përfaqësuese të organizatave të grave dhe të shoqërisë civile nga të gjitha grupet etnike. Ndërsa në Bruksel, kryediplomatja amerikane do të marrë pjesë në takimin e ministrave të NATO-s dhe do të zhvillojë takime me presidentin e Këshillit Europian Herman Van Rompuy dhe me Përfaqësuesin e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kethrin Ashton. Nga drejtuesit e Bashkimit Europian ajo do të kërkojë që të bëhet e qartë e ardhmja europiane e Kosovës ashtu si për të gjitha vendet e rajonit, si mundësi për të çuar përpara reformat. Kjo është vizita e parë e Hilari Klintonit në Prishtinë që nga ardhja në krye të Departamentit të Shtetit. Në maj të vitit 2009 edhe zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, vizitoi Ballkanin, ku fillimisht qëndroi në Bosnjë e Herzegovinë e më pas në Serbi dhe Kosovë. Vizita e Bajden u bë në kohën kur administrata Obama synonte për të ndihmuar integrimin e rajonit në NATO. Zëvendëspresidenti po ashtu shperhu mbështetje për Kosovën dhe pavarësinë e saj, ndërsa me Serbinë u synua vendosja e marrëdhënieve më të përmirësuara.
Përgatitjet
Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit kanë mbërritur dy ditë më parë në Kosovë, për të organizuar vizitën e sekretares Hilari Klinton. Ekipi amerikan është shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Citaku. Zyrtarët amerikanë kanë vizituar selinë e Parlamentit të Kosovës, ku Klinton do të mbajë edhe një fjalim. Pritet që gjatë këtyre vizitave ajo t’iu bëjë thirrje liderëve serbë dhe kosovarë për bashkëpunim, me qëllim zgjidhjen e çështjeve që prekin dy popujt.
BOX- Bisedimet me Kosovën, Serbia kundërshton ndërmjetësimin e SHBA-ve
Përfshirja e shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit mund të nxisë kërkesa për përfshirjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë në këtë proces, vlerësojnë zyrtarët shtetërorë në Serbi. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç konsideron se ndërmjetësimi i bisedimeve ndërmjet palës serbe e asaj kosovare është një ‘detyrë tipike europiane’. Përveç BE-së, ai sugjeroi që në procesin e ndërmjetësimit, të luajnë rol edhe Kombet e Bashkuara. “Nëse ata do të përfshihen drejtpërdrejt në dialog, do të shkaktohet menjëherë propozimi për përfshirjen edhe të Rusisë. Aq shumë aktorë në bordin ndërkombëtar vetëm se do ta komplikojnë situatën. Kemi pasur së fundi një përvojë të keqe me ‘Treshen’, ku kanë qenë të përfaqësuar Bashkimi Europian, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Ivanoviç.
Kosovë, PDK mund të krijojë koalicion me AAK-në
Zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen vitin e ardhshëm në Kosovë mund të sjellin krijimin e një koalicioni mes dy partive më armike, PDK dhe AAK. Kështu shkruan e përditshmja kosovare “Zëri”, sipas të cilës kohët e fundit dy partitë kanë qetësuar tonet dhe madje kanë bërë propozimet e para për shpërndarjen e posteve qeveritare. Sipas burimit, bisedimet e Thaçit me drejtues të AAK-së, mikpritja që iu bë atij në Pejë dhe vlerësimet e marra nga kryetari i komunës së Deçanit tregojnë afrimin mes dy partive, që në shtatë vitet e fundit kanë qenë më rivale se kurrë. Dy janë mundësitë e përfshirjes së AAK-së: e para që Thaçi të krijojë një koalicion gjithëpërfshirës, ku do të hyjë edhe AAK-ja dhe e dyta që PDK dhe AAK mund të krijojnë një aleancë të përbashkët, duke lënë LDK-në në opozitë.
Gjermani
Shpërthen trageti, 21 persona të plagosur
Një shpërthim ka shkaktuar zjarr në një traget që lidh Gjermaninë dhe Lituaninë në Detin e Veriut, duke shkaktuar 21 të plagosur.
Lajmin e ka bërë të ditur kapiteneria e Cuxhaven, në Gjermani veriore. Anija “Lisco Gloria”, me flamur lituanez, transportonte më shumë se 200 pasagjerë drejt Lituanisë. Shpërthimi ka ndodhur në kuvertën e sipërme, për shkaqe ende të panjohura. Në lidhje më këtë çështje është hapur një hetim, por nuk ka asnjë elementë që të tregojë se bëhet fjalë për një atentat.
Hungari
Ndotje tjetër toksike, evakuohet një fshat
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka paralajmëruar për një rrjedhje tjetër të mbeturinave toksike për shkak të krisjeve që kanë filluar të shfaqen në muret e një rezervuari kimikatesh.
Orban tha se ka shumë të ngjarë që muri verior i rezervuarit do të shembet, duke lejuar derdhjen e ndoshta 500 mijë metra kub mbeturinash toksike. Orban tha se po merreshin të gjitha masat për të penguar shembjen e murit. Ndërkaq disa qindra banorë janë evakuuar nga fshati më i prekur nga rrjedhja e parë e llumit toksik.
SHBA
Jep dorëhqejen këshilltari i Obamës për sigurinë kombëtare
Presidenti amerikan, Barak Obama, njoftoi se këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Xhejms Xhons ka dhënë dorëheqjen. Xhons është kritikuar kohëve të fundit për deklaratat e tij negative në adresë të bashkëpunëtorëve të presidentit Obama. Zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare Tom Donilon do të zërë vendin e zotit Xhons. Para se të punonte në administratën Obama, Xhons ka shërbyer për 40 vjet në ushtrinë amerikane. Ai është zyrtari i katërt i administratës Obama, që largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Kinë
Çmimi “Nobel”, dhjetëra të arrestuar
Disa dhjetëra kinezë janë ndaluar nga policia pasi po festonin dhënien e çmimit “Nobel” për Paqen disidentit Liu Xiaobo. Edhe disa profesorë që kishin shprehur vlerësimin e tyre për dhënien e çmimit janë bllokuar gjithashtu nga agjentët e policisë. Por ditën e djeshme, shtypi kinez dhe televizionet shtetërore e kanë injoruar plotësisht lajmin mbi arrestimet e kryera. Ndërkohë, gruaja e disidentit Liu Xiaobo do të mund ta shohë bashkëshortin ditën e sotme në burgun e Xhinzhout.
Kili
Sonda arrin te minatorët, pas disa ditësh do të dalin
Pas më shumë se dy muajsh në nëntokë, minatorët e bllokuar në Kili janë tashmë vetëm një hap larg përqafimit të njerëzve të dashur. Sonda arriti të shpojë muret e ndarjes që në njëfarë mënyre, u bë shpëtimi i këtyre njerëzve pas shembjes në minierën e San Hozesë në 5 gusht. Lajmi ka bërë xhiron e televizioneve të ndryshme botërore që transmetuan 'live' pamjet nga miniera. Zyrtarët do të vendosin sesi do të veprojnë në vazhdim, pasi të gjitha alternativat duken të rrezikshme.
Pakistan
Hapet pas 10 ditësh kalimi i Torkhamit
Pakistani do të rihapë shtegun kyç që shërben për të furnizuar trupat e NATO-s në Afganistan. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i këtij vendi, sipas të cilit rihapja do të bëhet me efekt të menjëhershëm. Kryqëzimi në veri-perëndim, në Torkham, u mbyll 10 ditë më parë pasi një sulm ajror i NATO-s vrau dy ushtarë pakistanezë. Që prej asaj dite, talebanët pakistanezë kanë kryer një seri sulmesh ndaj autokolonave të cisternave që mbanin furnizime për në Afganistan.
Përgatiti: Blerina Olldashi
11 Tetor 2010