Thaçi zotohet për luftimin e korrupsionit

“Kemi adaptuar një plan ambicioz për zhvillimin ekonomik dhe një agjendë legjislative, përmes së cilave garantohet rritja ekonomike, stabiliteti makrofinanciar dhe reformat e shumanshme. Në këtë kohë krize, ne kemi arritur të ruajmë stabilitetin makrofinanciar, të kemi rritje ekonomike prej 5%, me borxh publik të papërfillshëm nën 5% dhe pa deficit”, tha kryeministri Thaçi.
Sipas tij, kjo rritje normë është dy herë më e lartë se në periudhën para shpalljes së pavarësisë dhe dy herë më e lartë se në shtetet fqinje.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar rreth €700 milionë në infrastrukturë rrugore. Ne jemi duke përfunduar partneritetin publiko-privat në sektorin e mihjeve dhe të gjenerimit të energjisë elektrike”, ka përmendur të arriturat kryeministri Thaçi.
Një ndër fushat të cilave u ka kushtuar prioritet si qeveri, Thaçi ceku edhe sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Ne në bashkëveprim me EULEX-in jemi duke i dhënë goditje të fortë të gjitha veprave kriminale. Ju jeni në dijeni se tashme janë ngritur me dhjetra akuza për raste të ndryshme dhe në nivelet më të ndryshme”, tha Thaçi.
Sipas Thaçit, heshtja pothuajse 10 vjeçare e mosluftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka marrë fund.
Rreth çështjes së veriut, Thaçi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të përmirësojë jetën e qytetarëve atje.
Kurse sa i përket zgjedhjeve në Serbi, Thaçi tha se parimi i dyshtetësisë është i garantuar, “por s’do të lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës”.
Thaçi: S’ka autonomi as ndarje për veriun
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se vizita e tij në Uashington rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
“Takimet me sekretaren Clinton dhe zëvendëspresidentin Biden ishin një rikonfirmim për mbështetjen e Kosovës, stabilitetit të saj dhe të rajonit, si dhe për të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për VOA.
Kryeministri ka vlerësuar se mesazhet e marra në takimin me zotin Biden ishin mesazhe mbështetëse, që sugjeronin se Kosova duhet të vazhdojë me reforma dhe me ecje të shpejtë përpara në bashkëpunim me SHBA.
“Ndaj mund të them se është një thellim i bashkëpunimit në të gjitha sferat. Vizita ime ishte një konfirmim se Kosova po bën hapa të sigurtë drejt zhvillimit dhe integrimit. Gjithashtu, vizita forcon raportet tona dhe shënon hapa përpara në përforcimin e shtetit të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.
Më tej, i pyetur për dialogun me Serbinë, kryeministri është shprehur i vetëdijshëm për skepticizmin në radhët e klasës politike kosovare, por ka theksuar se Kosova do të përfitojë nga marrëveshjet e arritura në to, ndonëse nuk janë më optimalet.
“Ne nisëm dialogun para 1 viti e gjysmë, për këtë ramë dakord edhe me LDK-në. Ne kemi respektuar angazhimet dhe Kushtetutën e kosovës. Ka pasur skepticizëm për Rambujenë, për bisedimet e Vjenës, për proçesin e bisedimeve, por marrëveshjet kanë qenë pozitive. Nuk kanë qenë më optimalet, por kanë qenë në interesin e popullit të Kosovës”, ka pohuar Thaçi.
Më tej, i pyetur lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ku dy policë shqiptarë u arrestuan nga agjentët serbë, Thaçi ka nënvizuar se, Kosova nuk do që të ketë tensione me fqinjët e saj dhe ka theksuar se bashkëpunimi rajonal është zgjidhja e vetme për të ecur përpara dhe për të arritur integrimin në NATO dhe BE.
Përsa i përket çështjes së veriut, kreu i ekzekutivit kosovar ka hedhur poshtë mundësinë e një statusi special, duke konfirmuar prirjet e Prishtinës kundër ndryshimit të kufijve në rajon.
“Realiteti i Kosovës sot respektohet nga gjithë bota demokratike. Misioni ynë është që të mos hapen kufijtë, të mos ndryshojnë. Asnjëherë nuk do të ketë autonomi për veriun, apo status special për të”, ka shtuar Thaçi.
Thaçi: Beogradi mashtron serbët e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një fjalim të mbajtur mbrëmë në Qendrën Ndërkombëtare për Studimet Strategjike, në Uashington, ka deklaruar se Serbia vazhdon të gënjejë pakicën serbe të Kosovës me mundësinë e ndarjes së vendit.
“Kur kanë kaluar 13 vjet, serbët në veri vazhdojnë të gënjehen nga Serbia se mund të ndodhë ndarja e Kosovës. Por, më 15 korrik të vitit të kaluar, kjo ëndërr e Serbisë u shua njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Thaçi.
Sipas raportimeve të “REL”, kryeministri theksoi se Kosova do të jetë një shtet i vetëm, me një integritet territorial të paprekshëm dhe të njohur në rang ndërkombëtar.
“Serbëve u duhen investime dhe programe sociale dhe jo mesazhe të vjetra për t’i mbajtur peng”, u shpreh Thaçi, i cili nënvizoi se Serbia duhet të sillet në mënyrë më të civilizuar me Kosovën.
Përsa i përket proçesit të njohjeve, kreu i qeverisë së Prishtinës kërkoi më shumë angazhim nga ana e Brukselit për të siguruar njohjen e pavarësisë nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë bërë këtë gjë.
Megjithatë, Thaçi shprehu bindjen e tij se mungesa e njohjes nga Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro nuk do të pengojë të ardhmen evropiane të shtetit të tij.
Më herët Thaçi zhvilloi një takim me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, i cili, sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë kosovare, vlerësoi figurën e kryeministrit kosovar për vendimet “e guximshme” që ka marrë.
Biden e siguroi kryeministrin kosovar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten të angazhuara në Kosovë dhe të kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara janë ta palëkundura në mbështetjen e plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës”, deklaroi numri dy i Shtëpisë së Bardhë. (Top Channel)