E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thagma/ Rama kërkon një opozitë qeverisëse

24-09-2011 / Redaksionale

Gjatë javës që po mbyllet PS-ja prodhoi bulimi denoncimesh, pak propozime dhe vec një qëndrim. Kërkoi reformë elektorale, reformë Kushtetuese, interpelancë me Ministrin e METE-s, interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë, akuza për Ministrin Genc Ruli, për kreun e Policisë Bashkiake Tiranë Florenc Hoxha, kabllograme Uikiliks, propagandoi heqjen e TVSH-së për ilaçe dhe ushqime. Janë shumë fronte, po aq drejtime të kundërta, saqë kanë rëndësi të ndryshme. Madje Edi Rama hapi një front tjetër duke bërë sintezë paqartësisë me nxjerrjen e 10 urdhëresave për normalizimin e opozitës. Me një llaf 10 kushte drejtuar shumicës parlamentare për t’i marrë asaj sadopak Pushtet (Avokat të popullit, Guvernatorin e BSH, KLSH, TVSH, Presidentin, etj) domethënë atë c’ka nuk e realizoi me protesta, greva urie dhe demonstrata të dhunshme. Në gjashtë ditë opozita u rikthye me kapacitet të plotë në debatin publik jo vetëm duke imponuar zërin e saj për një sërë çështjes jetike për të ardhmen e vendit, por edhe duke vënë 10 gjoba për t’u paguar me pa të drejtë nga qytetarët. Kërkesat e Ramës do të thotë shuarje të parlamentarizmit, eliminimin politik të maxhorancës që është përfaqësues i sovranit votues 50+1, heqja e çdo të drejte shumicës parlamentare për të bërë politikë, neutralizimi i pushtetit qeverisës dhe krijimin de-fakto të opozitës qeverisëse.
Në mungesë të kryeministrit Berisha, Edi Rama u përpoq ta mbushte vakumin e prezencës publike duke sulmuar hapësirat mediatike për të provokuar maxhorancën dhe për të sonduar sa solide është shumica dhe qeveria. Luajti fort. Parlamenti pati shansit të votonte shtesat dhe ndryshime në Kodet Rrugor, Hekurudhor, Detar dhe Penal: ligje që kërkojnë një koncert votash me 3/5 e anëtarëve. Por opozita socialiste refuzoi të guxonte të votonte, qoftë edhe Kodin Rrugor për të cilin ishin dakord në Komisionin  e Ligjeve. Ndërhyrja e Ramës për ta ngatërruar procesin e integrimit duke futur gjëra dhe diskutime që pak lidhje kanë me imperativin e sotëm, për shembull fjalia e kreu të Grupit Parlamentar të PS-së Ruci që donte një akord për president konsensual dhe bipartisan. Është sikur në një shportë me vezë të futen me dhunë patate, qofte dhe qepë. Qëndrimet voluminoze dhe përparësitë politike të opozitës dëftejnë se janë oferta pa cilësi.
Këto propozime të gjitha përnjëherë pa dallim shiten si mall në ofertë, ku bli një ligj dhe merr shtatë votime. Afërmendsh shumica përballë këtij kontenieri të paktën kërkon kohë për t’i shqyrtuar, e vetiu një ndjenjë refraktare mbizotëron. Deputetët dhe krerët e maxhorancës e kanë të vështirë të kuptojnë qëndrimin e Ramës që “nuk votojmë asnjë ligj me 3/5 pa u kthyer edhe njëherë në komisionin e ligjeve”. Mirëpo të zëmë një shembull si mund të kthehet mbrapsht ligji për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor ku ky ka marrë një herë miratimin e opozitës në komision, c’ka do të bëjë opozita ta hedhë poshtë duke kundërshtuar vendimin e saj. Është e papranueshme kjo lojë jo serioze. Maxhoranca donte përgjatë seancës së fundit parlamentare një sinjal mirëbesimi, një gurë prove nga opozita parlamentare, të paktën të votonte një ligj të pranuar dhe miratuar parimisht nga të dyja palët në Komision.
Megjithatë gjasat janë që opozita qëllimisht po sajon oferta dhe kundër-oferta për të fituar sa më shumë kohë, në mënyrë që mosmarrja e statusit-kandidat të peshojë rëndë e të papërballueshme në shpinën e qeverisë Berisha. Me këtë synim është nisur Edi Rama. Ai harron se gjykimi i opinionit publik, pra i qytetarëve të informuar, ka mekanizmat e tij për të lexuar problematikën. Dhe refuzimet e opozitës do të lexohet shumë shkurt, si pjellë e papërgjegjshmërisë të Ramës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›