“Rajoni ka potenciale të jashtëzakonshme për të tërhequr sa më shumë investime”
Kryeministri Sali Berisha në Samitin e liderëve të Ballkanit
Në vijim të axhendës në Nju Jork, Kryeministri Berisha mori pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit, me temë “Një vizion për një të ardhme të përbashkët”, ku merrnin pjesë gjithashtu Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, kryeministri i Malit të Zi Igor Luksic. Ky Samit i përvitshëm synon të promovojë trashëgiminë e tolerancës ballkanike dhe mirëkuptimin midis liderëve politike, religjiozë, si dhe bizneseve, gazetarëve, artistëve etj,. të vendeve të Ballkanit dhe më gjerë, si dhe krijimin e bashkëpunimit etnik, fetar e gjuhësor në rajon nëpërmjet vendosjes së qëllimeve dhe idealeve të përbashkëta. Ky Samit u parapri nga simpoziumi i lidershipit ndërkombëtar të rinise dhe ai i biznesit amerikan.
Kryeministrat në fjalimet e tyre u fokusuan në ekonominë, investimet dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Berisha u përqendrua në fjalën e tij në rëndësinë e këtij takimi dhe bëri një prezantim të përmbledhur të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
“Në këtë takim, ju përfaqësoni pa dyshim imazhin më të mirë të rajonit tonë. Takimi në këtë mënyrë, në këtë vend të madh të lirisë, më duket si lider i një Ballkani mirëkuptimi, bashkëpunimi, miqësie, një Ballkan i të ardhmes, që gadishulli e meriton. Gjithashtu ju përfaqësoni ambasadorët më të mirë të kombeve tona, në këtë vend të madh, të kombeve të mëdha. Një takim i tillë i madh shpresoj që së shpejti do të zërë vend tek të gjithë ju, në secilin prej vendeve tanë, si lajmëtar i të ardhmes së madhe të rajonit. Por vetë fakti që ju keni theksuar tregjet, bizneset si bërthamën e organizatës suaj, është gjithashtu shumë frymëzues. Nuk ka demokraci funksionale pa një ekonomi tregu funksionale. Prandaj këtu, në këtë vend të madh, flasin për demokracinë e bazuar në treg. Në këtë aspekt, ka një potencial të jashtëzakonshëm të organizatave tuaja që mund të bëhen promotor shumë të rëndësishëm për të tërhequr bizneset e këtij vendi, për rajonin e Ballkanit dhe vendet e tij. Ne po bëjmë dhe do të bëjmë më të mirën, për të krijuar klimën më miqësore, mjedisin më të mirë për bizneset dhe tregtinë. Fakti është që rajoni tani ka një dinamizëm të madh në shkëmbime, investime”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai vuri në dukje falë ekonomisë së tregut dhe marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, investimet turke në Shqipëri janë rritur katër herë.
“Do t’ju jap dy shembuj. Në një hark të shkurtër kohor, prej vitit 2005 deri në vitin 2010, investimet turke në Shqipëri janë rritur katër herë. Në takimet e shpeshta me Kryeministrin Erdogan ne kemi planifikuar të mbështesim biznesin dhe bashkëpunimin e biznesit. Katër vjet më parë, Kryeministri Erdogan më propozoi marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe unë rashë dakord me të. Në vendin tim, disa njerëz më thoshin se do të përballesha me vështirësi të mëdha me këtë marrëveshje. Unë u thashë jo, padyshim do ta ratifikojmë dhe ndodhi që e ratifikuam përpara parlamentit turk. Cilat ishin rezultatet? Absolutisht, një histori e qartë kristal win-win. Investime nga vende të tjera ballkanike po vijnë. Më lejoni t’ju përmbledh shkurtimisht potencialet e Shqipërisë. Për momentin, Shqipëria është vendi me barrën më të ulët fiskale në Europë. Taksë e sheshtë 10 për qind, hoqëm me dhjetëra e dhjetëra lloje taksash, po punojmë shumë për të hequr pengesat burokratike. Në fakt, ne ndryshuam krejtësisht klimën e biznesit. Në krizën më të keqe europiane dhe një nga më të këqijat në botë, investimet e huaja direkte në vendin tim, për periudhën 2006-2010, u rritën rreth 316 për qind. Eksportet shqiptare u rritën 300 për qind. Kam një mik të madh në këtë vend, i cili është presidenti i Coca-Cola-s, Muhtar Kent. Dy ditë më parë, ai foli në një forum dhe i tha audiencës se këto janë absolutisht vetëm hapat e para të këtij vendi. Jam dakord me të. Potencialet e Shqipërisë janë të jashtëzakonshme. Është një vend i vogël, por kur e sheh në brendësi zbulon potenciale dhe mundësi të jashtëzakonshme. Shqipëria është një Norvegji e vogël në rajon. Është një vend plot me ujëra. Një vend që do të ndërtojë më shumë se 450 hidrocentrale. Shqipëria mund të bëhet një eksportues shumë i rëndësishëm i energjisë së blertë në rajon dhe po bëhet një i tillë. Vendi ka një potencial shumë të madh turistik për t’u zhvilluar. Më lejoni t’ju përmbledh shkurtimisht. Në vitin 2004, vendi im priti gjithsej 350 mijë turistë dhe vizitorë. Në vitin 2010, ky numër shkoi në 3.5 milion. I kthehem edhe një herë fjalës së mikut tim, se këto janë vetëm hapat e para, sepse 90 për qind e bregdetit tonë po pret për investitorë për t’u zhvilluar. Aseti më i madh i vendit im është rinia. Absolutisht, rinia që me energjinë, me vizionin dhe imagjinatën e saj, do ta bëjë vendin shqiponjën e Europës”, tha më tej kryeministri Berisha.