E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhjet brenda standardeve, koalicioni i përkushtuar për integrimin e Shqipërisë”

Ministri i Jashtëm Ilir Meta, në takimin e 17-të, të Këshillit Ministror të OSBE

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta vlerësoi dje gjatë takimit të 17-të, të Këshillit Ministror të OSBE-së, në Athinë, se Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme në procesin e integrimit evropian. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se vendi ia doli të zhvillojë zgjedhjet më të mira në histori dhe se vendi po udhëhiqet nga një koalicion partish që janë të përkushtuara tërësisht në integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.
Sipas tij, qeveria e tanishme do të mbështetet në zhvillimet inkurajuese në stadin e tanishëm të marrëdhënieve të saj me BE-në që rezulton pas kërkesës për antarësimin e Shqipërisë në BE dhe vendimit më të fundit të Këshillit për të kërkuar opinionin e Komisionit Evropian mbi gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat. Më tej në fjalën e tij, Meta përgëzoi qeverinë e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme vendore.
Në vijim të pjesëmarrjes në Ministerialin e OSBE që po zhvillohet në Athinë, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit mban Presidencën aktuale të Bashkimit Evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë Karl Bildt, pasi e uroi homologun Meta për progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave si dhe për hapat e bërë në drejtim të integrimit evropian, shprehu mbështetjen e plotë të Suedisë për të dyja këto procese, duke theksuar se Suedia mbështet heqjen e vizave për shqiptarët dhe integrimin e plotë të saj në BE. Gjithashtu, Bildt, vlerësoi përqasjen konstruktive të politikës së jashtme shqiptare në rajon dhe u shpreh se Shqipëria është një faktor stabiliteti në Ballkan.
Meta takoi edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov.
Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet në rajon dhe u diskutua mbi të ardhmen e tij. Gjithashtu Meta dhe Lavrov diskutuan mbi mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në nivel dypalësh dhe mbi realizimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme në fusha me interes reciprok. Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për shkëmbimin e mendimeve edhe në organizatat ndërkombëtare, ku të dy vendet janë anëtarë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta gjithashtu u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Joao Soares dhe me Drejtorin e ODHIR, Janez Lenarciç.
Gjatë takimit, Soares dhe Lenarciç shprehën dhe një herë qëndrimin e institucioneve që përfaqësojnë mbi zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato si një progres të dukshëm dhe në përputhje me shumicën e standardeve të OSBE/ODHIR.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›