Zbulime vizionare
Një ditë vendosa të bëj një shëtitje në një pyll ku s’kisha qenë kurrë. Kishte pak dritë dhe era të priste nga i ftohti. Nga larg i hodha disa vështrimë shtegut, i cili sa vinte e ngushtohej në sytë e mi. Pata frikë se mos kisha gabuar rrugë. Megjithatë vendosa të shkoja edhe më larg. Në një pikë - jo fort larg nga ku kisha ndalur, pashë një gardh druri, dhe nuk po kuptoja se përse duhej një i tillë në atë vend të izoluar. Njëri nga drurët ishte shmangur arratisur nga vendi i vet. I vendosur për të vënë rregull në dizorientimin tim, u përpoqa të ndërhyja. Në atë çast u ndjeva i çliruar, ankthi ishte tashmë në emigracion e sipër dhe përfundimi i shëtitjes qe një zbulim vizionesh të këndshme dhe gjërash të vogëla. Por papritmas më kapi katalesi dhe u ngërtheva në një opcion transhendental.
Zbulime vizionare 1/Rasti i Mullah gomarit. Presidenti Obama deklaroi se do të dërgonte 30 mijë trupa të tjerë në frontin e Afganistanit për të luftuar talebanët e shartuar me terroristin e shumë kërkuar, shokun Osama Bin Laden. Kundërpërgjigja e Iranit qe dërgimi i 30 mijë gomerëve në ndihmë të Mullah Omarit, që të shëtisnin mirë e këndshëm në vargmalet Tora-Bora. Gomerët u tha se ishin importuar nga Shqipëria, nëpërmjet firmës shtetërore MEICO. Shitja na paskërkësha sjellë një shumë parash që qenkërkëshin ricikluar në ngritjen e një Universiteti. Emrin e paskërka pasur disi të vështirë për ta qëmtuar, meqenëse UFO shpk-të apo Planetari qenkërkëshin jashtë sistemit diellor. Epopeja e idiotëve ishte zënë shumë shpejt dhe mbetej veç Piramida, si një ëndërr e vjetër për t’u bërë skllave moderne e mashtrimeve.
Zbulime vizionare 2/Universiteti “Piramida” hap dyert për të gjithë studentët që kanë marrë pesë me mik në shkollën e mesme të përgjithshme (gjimnazi). Kurset inteligjente që ofron Un.Piramida konsistojnë në menaxhimin e të ardhurave familjare në tregun e bonove të pazarit, në një kurs gjeo-fiction mbi kufijtë ujorë midis Shqipërisë dhe Greqisë me profesorin e muzikës polifonike Myslym Pashaj, si dhe një kurs mbi demokracinë liberale me profesorët e nderuar Gramoz Ruçi, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.
Zbulime vizionare 3/Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka deklaruar se 35 shtete, anëtare të OKB-së, kanë dorëzuar në këtë gjykatë kërkesat për pjesëmarrje në procesin lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pak koment: Kundër pavarësisë së Kosovës janë vende si Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Brazili, Burundi, Kina, Qiproja, Laosi, Rusia, Venezuela dhe Vietnami. Kësaj here Shqipëria mungon. Por një delegacion nga Shqipëria e mbështetur nga reliktet komuniste do të ligjërojnë bashkë me familjen komuniste se është kundra pavarësisë së Kosovës. Qëndrimi koherent se ne ja shitëm njëherë Tituas të mjerën Kosovë do jetë pika ku do të ngulmojnë më shumë.
Zbulime vizionare 4/Në prag të festave të fundvitit, të dënuarit shpresojnë që të pranohen kërkesat e tyre për falje. Duke u bazuar në ligjin e faljes, ata nuk kanë vonuar të hartojnë dhe dërgojnë kërkesat e tyre tek Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Pak koment: nga kërkesat më të rëndësishme për t’u përmbushur janë a) pajisja me kapuçë të zinj me tre vrima, nëse nuk ka, ju luten të kenë në përdorim dy palë çorape me dantella grash, që gjenden në magazinë b) çdo i burgosur do të ketë paguar nga shteti “Gjelin e detit” për kontributin e lartë që i kanë dhënë shoqërisë duke qëndruar larg tyre.
Zbulime vizionare 5/Farmacistët do të jenë në gjendje të japin informacione të detajuara, për të gjithë ata që do të përdorin kontraceptive, të çfarëdolloj formë qofshin. Kjo pas një trajnimi që është bërë nga USAID me 100 farmacistë të kryeqytetit, por që do të vazhdojë dhe me tej. Sipas këtij projekti, informacion për planifikimin familjar mund të gjesh edhe në farmaci. Pak koment: në mungesë të prezervativëve është përdorur lëkura e një bishti deleje. Kjo ka shkaktuar irritim në çobanin e deleve të ndershme, që sipas parimit ajo delja e zezë që del nga tufa, përdhunohet vetëm nga bariu. Hakmarrja e bariu është ndalimi i qumështit për banorët e Tiranës deri në një urdhër të dytë. Pritet ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve në hapjen e kusisë së qumështit.
Këto zbulime vizionare vijmë pas leximit të “Letrat e fshehta” të shkrimtarit francez Pierre-Ambroise-François Choderlos de Laclos, i cili konfirmonte se “koha bie gjithmonë të vërtetën”.
Është mëkat që nuk e bie gjithmonë në kohën e duhur.