Thagma/Me kujtime politike rishfaqen Fidel Kastro, Nexhmije Hoxha dhe Edi Rama
Për të larguar sa më tej vdekjen njerëzit krijojnë pasardhës. Kurse diktatorët nuk lënë pasardhës, por libra me kujtime të manipuluara sipas midesë së tyre. Kështu ish presidenti kubanez, Fidel Kastro bëri një shfaqje të rrallë publike për të publikuar librin e tij me kujtimet . Libri nuk quhet Kurban, por “Guerril i kohës”, dhe ka rreth 1 mijë faqe, në të cilën ai lidh fëmijërinë e tij me rritjen në fuqi në revolucionin kuban. Fidel Kastro, tashmë 85 vjeç, tha se është detyra e çdo kubani të luftojë deri në momentin e fundit për Kubën, për planetin dhe për njerëzimin. Ai nuk ishte parë në publik që prej prillit të vitit të kaluar. Gazeta e Partisë Komuniste, Granma, tha se dreka në Havana Convetion Centre zgjati më shumë se 6 orë. Libri me dy vëllime bazohet në bisedimet mes Fidel Kastros dhe gazetares Katjusha Blanko. Libri nis që nga fëmijëria e hershme e Castro-s deri në vitin 1958, kur ai dhe ndjekësit e tij rrëzuan Fulgencio Batistën. Kjo ishte dalja e parë e Fidel Castro-s në publik që nga prilli i vitit të kaluar.
***
E njëjta gjë vlen edhe për diktatorin e regjimit komunist shqiptar Enver Hoxha, i cili shkroi vetë dhe me të tjerë, në pesë vjecarin e fundit të jetës, pjesën më të madhe të ashtuquajturave vepra të shokut Enver si: Titistët, Hrushovianët, Kur lindi Partia, Konflikti anglo-amerikan, Shënime mbi Kinën, Mbi Lindjen e Mesme, Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re, Mes njerëzve të thjeshtë, Me Stalinin, Vitet e rinisë, Vitet e vegjëlisë, etj çmenduri. Janë pak a shumë 80 vepra të shokut Enver që tentojnë të manipulojnë me dashje historinë e Shqipërisë dhe dëftejnë në thelb krejt injorancën doktrinare të komunizmit shqiptar. Siç dihet tashmë për anën ideologjike përgjigjeshin eminencat gri të regjimit Spiro Dede dhe Sofokli Lazri dhe më vonë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Kjo e fundit na kujtoi se Enveri mbante me zell defterin e krimeve ndaj shqiptarëve.
***
E njëjta gjë vlen për Edi Ramën, i cili për të shtyrë më andej vdekjen, por humbjen shkroi një libër me kujtime të titulluar Kurban, me të cilën rreket të bëjë një operacion plastik ngjarjeve të dhjetëvjeçarit të fundit. Është mania për të nxirë të bardhën që i shtyn njerëzit që s’kanë asgjë për të thënë të shkruajnë refleksione, a thua se janë filozofë a predikues të një doktrine të shenjtë. Me Kurbanin, Edi Rama arriti të largonte artistin brenda vetes dhe përftuar aftësinë e gënjeshtrës së pacipë, paçka se autori i ka quajtur krijesën e tij “e vërteta ime”. Sigurisht është një e vërtetë jashtë çdo konteksti dhe çdo ngjarje reale. Është një rrjeshmëri lëvizëse sesi autori ka dashur të jetë e të sillet si politikan, si burrë, si familjar, si mik, si shok, si armik dhe cinik.