E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Reformat, në rrugë të mbarë - të shpejtohet me ligjet e 3/5-ave

07-02-2012 / Gazeta 55

Drejtuesit kryesorë të politikës kanë takuar dje Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino, të cilit i kanë rinovuar angazhimin për miratimin sa më të shpejtë të ligjeve që përcaktohen në 12 rekomandimet e BE-së. Strukturat parlamentare konfirmojnë angazhimin, por ka rënë besueshmëria tek premtimet e pambajtura të liderit të opozitës

Berisha: Axhenda e vetme e Shqipërisë, ajo evropiane

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino.
Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Sannino e falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen që ai i ka dhënë vazhdimisht procesit të integrimit evropian dhe shprehu besimin në vendosmërinë e tij në çuarjen përpara të axhendës evropiane. Ai vlerësoi zhvillimet pozitive të muajve të fundit, të cilat kanë sjellë një normalizim të klimës politike, duke theksuar se BE ndjek me interes progresin në reformën zgjedhore, atë parlamentare, miratimin e ligjeve me 3/5, si dhe përgatitjen e Planit te Veprimit. Kryeministri Berisha nga ana e ti,j shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve të tij në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai rikonfirmoi se integrimi evropian mbetet prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi pozitivisht normalizimin e jetës politike në vend që pasoi në nënshkrimin e marrëveshjeve në fund të vitit 2011.
Kryeministri theksoi se zhvillimet e shkuara kanë vënë në pah rolin themelor dhe rëndësinë e padiskutueshme të respektimit, me vullnet të mirë politik, të shtetit të së drejtës, Kushtetutës dhe zbatimit të ligjit, si kusht për progresin e vendit dhe integrimin e tij evropian. Ai siguroi se respektimi i këtyre parimeve do të karakterizojë qëndrimin edhe në të ardhmen të mazhorancës së drejtuar prej tij.
Në takim u diskutua edhe mbi vazhdimin e reformave që vendi ndërmerr në fushën e ekonomisë, transparencës së qeverisjes, reformën në drejtësi, etj.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim në lidhje me rëndësinë që ka paraqitja tek vendet anëtare të BE-se e Planit të Veprimit dhe prioriteteve të masave të tij, bashkërisht nga qeveria dhe Parlamenti, si një mesazh i një angazhimi të përbashkët të faktorëve të spektrit politik në funksion të integrimit, ne mënyrë të veçantë në marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat.
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino vizitoi Shqipërinë për të nxitur faktorët politik për zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, pas qasjeve bllokuese që shfaqi Partia Socialiste në miratimin e ligjeve me 3/5 në fillim të këtij viti.
Mesazhi i zyrtarit të Brukselit është i qartë dhe konkret, Shqipëria duhet të konkludojë procesin e reformave dhe 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të vlerësohet pozitivisht në progresin e integrimit si dhe të çelen negociatat e anëtarësimit, brenda 2012-ës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›