Kuqezinjtë zhgënjejnë në Prilep
Kombëtarja nuk ka mundur do të shkojë më larg se një barazim 0-0 me Maqedoninë në një terren shumë të keq. Pak raste për gol dhe shumë agresivitet nga të dyja skuadrat
Duhej të ishte ndeshja e kthesës pas asaj humbje në shtëpi me Azerbajxhanin, por edhe në Prilep të Maqedonisë skuadra jonë kombëtare nuk ka bindur aspak, duke shfaqur një lojë edhe më të dobët sesa ajo e së premtes së shkuar në “Qemal Stafa”. Pavarësisht se u luajt në një “fushë patatesh”, kuqezinjtë krijuan shumë pak raste për shënim dhe nuk arritën asnjëherë që ta ngrenë ritmin e lojës mbi nivelin mesatar. Përveç klimës armiqësore që mbizotëronte në stadiumin “Goce Delcev”, shkak për lojën e dobët të shfaqur nga të dyja skuadrat ka qenë padyshim edhe terreni i keq i stadiumit, ku nuk mund të bëje i qetë disa pasime radhazi. Trajneri i përkohshëm, Xhemal Mustedanagiç do të rreshtonte këtë formacion: Hidin në portë, Lilën Dallkun, Telin dhe Agollin në mbrojtje, Canën, Bakajn, Hykën, Roshin dhe Vilën në mesfushë, ndërsa në sulm do të luajë i vetëm Hamdi Salihi, ndërsa uellsiani Xhon Toshak ka pasur mungesën e rëndësishme të Goran Pandevit në formacionin e tij. Mesfushori Odise Roshi do ta mbajë mend gjatë atë gjuajtje të keqe pas topit të ardhur nga Jahmir Hyka, që depërtoi mrekullueshëm në zonë duke servirur saktë lojtarin e Këlnit, që e godet topin në mënyrë të gabuar. Ky do të jetë rasti më i pastër për shënim për skuadrën tonë, ndërsa Maqedonia do të arrijë të shënojë në minutën e 36-të, por goli do të anulohet për një pozicion të parregullt. Elis Bakaj do të detyrohet që ta braktisë fushën e lojës shumë shpejt pas një ndërhyrjeje të ashpër nga kundërshtarët dhe në vend të tij do të futet Januzi. Ajo ndaj Bakajt ishte vetëm njëra nga ndërhyrjet brutale që vendësit bënë ndaj kuqezinjve, por edhe këta të fundit nuk është se ua kursyen shkelmat maqedonasve në një ndeshje që doli jashtë çdo aspketi taktik për minuta të tëra. Në pjesën e dytë Mustedanagiç do të largojë Roshin për Muzakën dhe pak më pas Salihin për Kapllanin, por loja e kuqezinjve nuk fiton aspak freski. Madje, rastet për shënim do të mungojnë, ndonëse Shqipëria do të ekzekutojë shumë goditje këndi. Kur do të mbeten edhe 10 minutat e fundit të lojës, “Xhemo” vendos të largojë Januzin për Gilman Likën dhe Hykën për Lilajn, duke dashur që të shtojë muskujt në mesfushë, por nuk do të jetë kohë për tanët që të ndryshojë diçka. Në fund, do të ketë edhe 20 sekonda lojë për Franc Veliun, që zë vendin e Emiljano Vilës. Një zëvendësim ky sa për të justifikuar nxehmjen për minuta të tëra vlonjatit.
Toshak, katër shqiptarë kundër Shqipërisë
Trajneri uellsian i Maqedonisë, Xhon Toshak, ka shfrytëzuar në maksimum miqësoren ndaj Shqipërisë për të ndjekur formën e lojtarëve që kishte grumbulluar. Ai shfrytëzoi të gjitha zëvendësimet e mundshme dhe në një moment të caktuar në fushën e lojës kanë qenë katër shqiptarë të veshur me fanellën e Maqedonisë. Agim Ibrahimi, Muhamed Demiri, Ferhan Hasani dhe Bajram Fetahu kanë qenë “legjionarët” shqiptarë nën urdhrat e Toshakut. Madje, në minutën e 80-të Agim Ibrahimi ka pasur në këmbët e tij edhe një mundësi shënimi, por nuk ka mundur dot ta çojë topin pas shpinës së Isli Hidit.
Fyerje nacionaliste, ja çfarë rezervuan
tifozët maqedonas për kombëtaren tonë
“Shqiptar i vdekur është shqiptar i mirë” apo “Dhoma gazi për shqiptarët”. Në Prilep ridel në skenë racizmi dhe pseudo-nacionalizmi i maqedonasve
Mediat shqiptare i kishin bërë parapritë asaj që do të ndodhte në Maqedoni, pasi edhe më parë në stadiumin e Prilepit atmosfera ka qenë vërtet armiqësore. Thirrjet anti-shqiptare në stadium kanë qenë të shumta, por më të brohoriturat nga një grusht njerëzish të vendosur në një qoshe të tribunës përkarshi ishin ato sipas të cilave shqiptarët duheshin futur në dhoma gazi apo se shqiptarët janë më mirë të vdekur se të gjallë. Natyrisht kjo ka bërë që gjakrat të nxehen edhe në fushën e lojës dhe në jo pak raste kanë shkaktuar edhe fërkime mes lojtarëve deri pranë shndërrimit në zënka. Mediat e ndryshme në Tiranë kanë kritikuar Maqedoninë për organizimin e kësaj ndeshjeje miqësore. Por, sipas tyre, Federata Shqiptare e Futbollit nuk duhej të pranonte që skuadra e saj të luaj në Prilep, ku fusha nuk ishte në gjendje të mire dhe duke ditur se çfarë ka ndodhur në vitin 2003. Atëherë lojtarët shqiptarë janë ankuar për një pritje aspak miqësore dhe për akomodimin e skuadrën në një hotel të dorës së fundit. “Nuk flinim dot gjumë nga pleshtat” do të deklaronte menjëherë pas asaj ndeshjeje Igli Tare, . Megjithatë, në vitin 2011 nuk pritej që kjo situatë të përsëritej, por tifozët maqedonas nuk kanë harruar vesin e tyre të thirrjeve antishqiptare, që e kanë bërë “modë” në ndeshjet në transfertë të Renovës dhe Shkëndijës në . Njëherësh, ato kanë kritikuar ekipin maqedonas për lojën e ashpër që kanë aplikuar. Ndërkohë, me theks të veçantë mediat kanë kritikuar tifozët maqedonas, për thirrjet e tyre anti-shqiptare gjatë kësaj miqësore. Në të vërtetë, kanë qenë mediat maqedone ato që kanë trumbetuar koret raciste të tifozëve në Prilep. Ndër thirrjet më të zakonta ishin “Shqiptar i vdekur është shqiptar i mire”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Lufta për çlirim”, etj. Sipas mediave në vendin fqinjë, pas ndeshjes futbollistët shqiptarë janë shprehur të zhgënjyer me pritjen aspak të mirë që u kishin rezervuar tifozët maqedonas. Sidoqoftë, ky ishte barazimi i tretë mes përfaqësueseve të këtyre dy vendeve, nga tetë ndeshje të zhvilluara gjithsej, prej të cilave maqedonasit kanë arritur katër fitore, ndërsa Shqipëria vetëm një.