E Shtunë, 31 Tetor 2026

"The Economist": Berisha- Meta, një qeveri jo stabël

Njësia e Inteligjencës e revistës prestigjoze ‚The Economist’ publikon një raport sipas të cilit, qeveria e re e koalicionit PD-LSI pritet të jetë e paqëndrueshme. Raporti thotë se vendi ynë ka pak mundësi të bëhet vend-kandidat i BE. 

TIRANE- Qeveria pritet të jetë më pak e qëndrueshme se Partia Demokratike e Shqipërisë e qendrës së djathtë në pushtet, e cila dështoi në përpjekjet për të siguruar shumicën në zgjedhjet e 28 qershorit. Shqipëria ka pak gjasa të bëhet një vend-kandidat i Bashkimit Evropian në periudhën për të cilën bëhen parashikimet, me përjashtim të rastit, nëse qeveria e re përshpejton në mënyrë të ndjeshme reformat". Është ky konstatimi i Njësisë së Inteligjencës (Zbulimit) të revistës prestigjioze angleze "The Economist", në analizën më të fundit politiko-ekonomike që i bën situatës në Shqipëri. Analizë, që duket se është bërë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare dhe e cila përfshin parashikime të tendencave të parametrave më të rëndësishme të jetës social-ekonomike të vendit.

Ndërmjet të tjerash, Njësia e Inteligjencës vlerëson me nota pozitive tendencën e rritjes ekonomike të vendit më 2009 dhe 2010. "Njësia e Inteligjencës e ka rishikuar në rritje parashikimin e saj për rritjen reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në një mesatare prej 2 përqindësh në periudhën 2009-2010", - shprehen ekspertët e "The Economist".

Ky është një vlerësim dy herë më i lartë se parashikimi i fundit i kolegëve të tyre të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët e vlerësonin rritjen e PBB-së gjatë vitit 2009 në masën 1 për qind, pasi më parë mendonin një tendencë vetëm 0.4 për qind. Por, parashikimi i Njësisë së "Economist"-it bën fjalë për të dy vitet, si për 2009-ën, ashtu edhe për 2010-ën. Ndërkohë, ky parashikim është shumë herë më i ulët se vlerësimet euforike të kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave Bode, se Shqipëria këtë vit duhet të shënojë një rritje të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto në masën 6 për qind, për të shkuar në 9% një vit më pas. Nga ana tjetër, sipas ekspertëve të Njësisë, "parashikohet një inflacion mesatar rreth 2.5% në këtë periudhë në Shqipëri - brenda parametrave të planifikuara - ndërkohë që deficiti i bilancit të pagesave duhet të ulet në rreth 9 për qind të PBB-së në periudhën e parashikimit", theksohet në raport.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›