The Freelancers në Exit
Elektro-grupi alternativ nga Prishtina, The Frelancers, në fakt performoi në natën e fundit të festivalit, në njërën nga skenat e shumta të tij. Koncerti i grupit zgjati rreth 45 minuta, ndërkaq pjesë e repertorit me të cilin u prezantua para një numri simbolik të publikut, që kryesisht ishin vizitorë të festivalit nga Shqipëria dhe Kosova, ishin këngët e grupit në gjuhën angleze, por edhe disa në gjuhën shqipe.
Kur vitin e kaluar mysafir në EXIT ishte Dj kosovar DJ Vegim, para skenës në të cilën performoi u vërejtën pjesëtarë të forcave policore serbe, të cilat kishin ardhur për të parandaluar incidentet eventuale, meqenëse DJ Vegim u prezantua si muzicient nga Kosova.
Sivjet, ndërkaq, para binës ku po performonte grupi The Freelancers (Suba Stage) nuk u vërejt asnjë polic, me gjasë për shkak se tek emri i grupit kosovar në broshurën e festivalit nuk pati asnjë njoftim se grupi vjen nga Kosova. Si rrjedhojë, The Freelancers, të cilët e hapën natën në Suba Stage, performuan sikurse edhe gjithë të tjerët – dmth, pa ndonjë shenj dalluese që do të tregonte se bëhej fjalë për një grup muzikor nga Kosova.
Festivali Exit përfundoi të dielën mbrëma me performimin në ‘main-stage’ të Nick Cave & The Grinderman, ndërkohë që në orën 3 të mëngjesit në skenë u shfaqë edhe kult grupi slloven Laybach. Ndryshe, gjatë katër ditëve, sa zgjati festivali, nëpër kalanë Petrovaradin, në Novi Sad, parakaluan rreth 40,000 njerëz në ditë, të cilët patën rastin të ndjekin 600 ngjarje muzikore dhe kulturore, në 20 skena të festivalit. Atheist Rap, Bad Religion, Arcade Fire, Pulp, Portishead, Jamiroquai, Nick Cave, M.I.A., ishin disa nga pjesëmarrësit më të njohur.