Shkëndija nuk frikësohet në Beograd
(E plotësuar) Skuadra e Shkëndijës të hënën mbrëma ka mbërri në Beograd, ku të mërkurën mbrëma do ta zhvilloj ndeshjen e parë ndaj Partizanit në kuadër të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Mediat serbe tashmë kanë njoftuar se tetovarët janë vendosur në hotelin ‘Prestige’, dhe për sigurinë e tyre po përkujdesen forca të rrepta të organeve të rendit.
Ndërkohë, kampionët maqedonas tashmë kanë dhënë edhe deklarata për media. Ata po ndihen të qetë në Beograd, derisa pranojnë se Partizani është favorit për ta fituar përballjen ndaj tyre. Mirëpo, kuqezinjtë thonë nuk do të dorëzohen lehtë, pasi sipas tyre, fitorja do të jetë synim për ta.
Kurse, mediat serbe raportojnë se me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tifozët shqiptarë, ‘Ballistë’ nuk do të lejohen të futen brenda territorit serb.
Tifozët tetovarë kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë të mërkurën drejt Beogradit për ta përkrahur Shkëndijën, përkundër marrëveshjes mes dy klubeve që dy ndeshjet mes tyre të zhvillohen pa tifozë mysafirë me qëllim që të shmangen ekseset e mundshme.
Shkëndija fshihet në Beograd
Shkëndija ka udhëtuar drejt Beogradit për ta zhvilluar ndeshjen kundër Partizanit në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve. Drejtuesit e ekipit bardhezi po e mbajnë sekret vendqëndrimin e tetovarëve nga frika se mund të sulmohen nga huliganët serbë. Përveç kësaj, ekipi kuqezi do të jetë i siguruar vazhdimisht nga policët serbë.
Futbollistët e Shkëndijës të hënën kanë lënë kampin stërvitor në Ramingstein të Austrisë për të udhëtar drejt Beogradit, ku e pret një përballje e vështirë me Partizanin në kuadër të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Kjo përballje ka zgjuar interesim të madhe te tifozët serbë dhe ata shqiptarë. Për këtë drejtuesit e klubit serb kanë vendosur që lokacioni ku do të vendoset ekspedita e Shkëndisë të mbetet sekret për shkaqe sigurie.
Përveç që do të mbahet sekret vendndodhja e ekipit kuqezi, ata do të ruhen 24 orë nga policët serbë, nga frika se mund të sulmohen nga huliganët e klubit bardhezi.
“E dimë se ku do të akomodohen, por nuk është logjike të zbulojmë publikisht për shkak të frikës nga incidentet e mundshme. Kështu është më mirë. Ata natyrisht gjatë gjithë kohës do t’i ruajë policia në Beograd. Por, po e përsëris që më së miri është që sa më pak njerëz ta dinë se ku do të jetë rivali ynë”, ka thënë sekretari gjeneral i Partizanit, Darko Grubor, për Alo.rs.
UEFA ka vendosur që në këto dy përballje mos të ketë fare tifozë mysafirë, pasi këtë e ka vlerësuar si ndeshje me rrezikshmëri të lartë.
Si tifozët tetovarë Ballistat dhe ata serbë Grobari janë shprehur të zhgënjyer me këtë vendim, pasi kishin bërë të gjitha përgatitjet që të udhëtojnë drejt Beogradit, respektivisht Shkupit.
Ndeshja e parë mes ekipit serb dhe atij shqiptar do të zhvillohet të mërkurën në Beograd (20:45), derisa takimi kthyes do të zhvillohet një javë më vonë në Shkup.
Shkëndija, për rezultat pozitiv në Beograd
Ekipi i Shkëndijës ka udhëtuar i motivuar drejt Beogradit. Edhe pse janë të vetëdijshëm se nuk do ta kenë lehtë përballë Partizanit, njëri nga lojtarët më të mirë të Shkëndijës, Ferhan Hasani është optimist se mund ta befasojnë ekipin serb.
“Do të jetë një lojë e vështirë për ne, sepse kemi një kundërshtar të fortë, po kjo nuk do të thotë se nuk mund të dalim me rezultat pozitiv nga Beogradi. Mendoj se me ndeshjet që i kemi treguar në miqësore dhe me një angazhim maksimal do të nxjerrim rezultat të favorshëm për ne”, ka thënë Hasani për mediat shqiptare në Maqedoni.
“Ne dalim për të fituar dhe besoj se me një angazhim maksimal do t’ia arrijmë qëllimit. Ata janë favoritë, por ne do t’i befasojmë në fund duke dalë fitues”, shtoi ai.
Hasani vlerëson se mosprania e Ballistave në Beograd do të jetë një mangësi e madhe për ta. Sipas tij, tifozët tetovarë kanë qenë lojtari i 12-të i Shkëndijës, duke e përkrahur në çdo ndeshje.
Sulmuesi tetovar është optimist se Shkëndija do ta eliminojë Partizanin dhe do ta përsërisë suksesin e Flamurtarit të Vlorës në vitin 1987, kur eliminoi ekipin serb.