The Guardian: Haradinaj zotohet për udhëheqje të vendit

Por, tani në Ballkan pritet që të ketë një krizë të re lidhur me disa dyshime për një marrëveshje të Beogradit për ndjekjen penale të tij.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj – i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata për Krime të Luftës në Hagë, të enjten, më 29 nëntor, pasi kishte qenë i akuzuar për tetë vite dhe pasi që ishte gjykuar – tha të shtunën se synon “ta udhëheq sërish vendin tim”. Kryeministri aktual tani është tërhequr, për të lënë hapësirë që Haradinaj të kthehet në detyrë në fillim të janarit.
Për akuzën shumë të rëndë, Haradinaj tha se besonte se akuzimi i tij kishte qenë “rezultat i marrëveshjes në mes të Hagës dhe qeverisë së Serbisë, në të cilën unë isha monedhë për kusuritje”. Akuza e paralajmëruar kundër ish-kryeprokurores Carla Del Ponte – e cila për momentin është hetuese e OKB-së për të drejtat e njeriut për Sirinë – pritet të shkaktojë një tronditje të madhe.
Haradinaj është pritur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nga një turmë prej mbi 100.000 vetash. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vitit të shpalljes së pavarësisë i kishte thënë gazetës “Observer” në një intervistë ekskluzive, se “kjo ishte edhe një fazë tjetër në përvojën time të gjatë dhe të vendit dhe popullit tim”. “Po tani kjo ka marrë fund. Populli ynë ka kaluar nëpër vuajtje të mëdha dhe plani im tani është që të bëhem kryeministër i Kosovës dhe të ndërtoj shoqërinë dhe ekonominë tonë për të gjithë kosovarët – shqiptarët, serbët, romët, për të gjithë.”
Haradinaj ka qenë udhëheqës i luftës së armatosur në fund të viteve të ‘90-ta, por shpejt kaloi në politikë. Ai ishte akuzuar pas 100 ditësh si kryeministër, duke dhënë dorëheqje, për t’iu dorëzuar gjykatës. “Gjatë tërë kohës e kam ndjerë se kjo ishte padrejtësi,” thotë ai. “Gjithë këto vite jam ndjerë se kam qenë monedhë për kusuritje në marrëveshjen e bërë në Beograd.” Ai thotë se ishte akuzuar si rezultat i “kompromisit që disa kishin bërë me qeverinë serbe në Beograd, për të siguruar që ata të ekstradonin të dyshuarit e rangut të lartë serbë për krime lufte”.
Shpallja e pafajësisë, po ashtu, shënon një moment potencial shpërthyes në tërë Ballkanin. Duke iu drejtuar masës, Haradinaj e vuri shpalljen e tij si të pafajshëm në kontekst politik, duke deklaruar se ajo nënkuptonte se “lufta jonë ishte e drejtë dhe e pastër”, shkruan ndër të tjera “The Guardian”. /rtk/