E Shtunë, 31 Tetor 2026

The Times: Ja si u festua përvjetori i parë i pavaresisë në Shqipëri

SHBA- Kur u mbush një vit nga Pavarësia e Shqipërisë, gazeta prestigjioze "The Times" botoi një artikull. Pinjolli i Ismail Qemalit, Darling Vlora ka bërë publik artikullin bashkë me foton që shihet në shkrim. Më 29 nëntor 1913, një korrespondent në Gadishullin Ballkanik raportonte nga Vlora se "sot, i pari përvjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është kremtuar në të gjithë vendin me festime të mëdha". Sipas tij "Vlora është en fête; qyteti i vjetër antik është zbukuruar me flamuj të kuq me shqiponjën dykrenare dhe populli, me simbolin e Skënderbeut, marshon nëpër rrugët e zbukuruara me festone të shumta".

Ai shkruan se atë mëngjes Ismail Qemal Beu, President i Qeverisë së Përkohshme, bëri një pritje në rezidencën e tij, në breg të detit, ku ai priti anëtarët e kabinetit të tij, delegatët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, komandantët e luftanijeve të AustroHungarisë dhe Italisë dhe shumë nga paria e vendit. "Gjatë pritjes, në sheshin përpara rezidencës, u zhvillua një demonstrim popullor, ku, në një atmosferë mjaft të gëzuar, u kënduan këngë kombëtare. Ismail Qemal Beu doli në ballkon, i shoqëruar nga anëtarët e qeverisë së tij, dhe iu drejtua demonstruesve, të cilët e pritën fjalimin e tij me duartrokitje të vazhdueshme", - shkruan ai.

Korrespondenti raporton se "Shqipëria e kaloi vitin e parë të Pavarësisë në një klimë të mirë dhe vendi, gjatë këtij viti, ka qenë shumë më i qetë se asnjëherë tjetër gjatë historisë së tij, aq sa edhe largimi i Esat Pashës nga Qeveria e Përkohshme, nuk përfundoi në gjakderdhje". Por në gjykimin e gazetarit, "konfliktet e brendshme do të marrin fund, njëherë e mirë pas ardhjes së Sovranit të ri, i cili pritet të vijë gjatë muajit janar. Rreziqet e ndërhyrjeve, nga ana e fqinjëve lakmitarë, do të zhduken nëse të gjitha Fuqitë e Mëdha do të vazhdojnë të paraqesin një interes aktiv në mirëqenien e këtij shteti të ri dhe të jenë të vendosura në ruajtjen e integritetit të tij".
(Shkrimin mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›