E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Tirania e pakicës

06-08-2012 / Gazeta 55

Para dy ditësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një editorial vetëcertifikohej si pakicë e virtytshme duke dalë kundër atyre “skllevërve” që e barazojnë opozitën me mazhorancën. Ai del kundër atyre që janë mosbesues ndaj sjelljes së pakicës parlamentare, duke thënë se opozita ka qëllime të mira (edhe kur është radikale...?!), por që korrupsioni dhe papunësia e zhvlerëson punën e saj. Domosdo. 
“Elozhi i pakicës” që bën kryesocialisti Rama duhet thënë se ka një traditë të gjatë para-politike e cila mbështetet në paragjykimin se po të kishin fituar ndonjëherë pakicat do të kishte një Shqipëri më të mirë. Sipas tij ekziston një Shqipëri e mirë, e ndritur në minorancë e mundur nga një Shqipëri popullore, obskurante dhe e rëndomtë. Sipas tij më të mirët humbën, madje  u keqkuptuan e u mbytën nga plebenjtë dhe tribunët e tyre populistë.
Në fakt, abuzimet e atyre që komandojnë mund të jenë më të dukshme sesa të atyre që ulen këmbëkryq në bulevard, por ende dimë sesi do ta përdornin pushtetin pakicat e mundura po të fitonin mandatin për të qeverisur. Duke gjykuar me shembuj që kemi dhe pak me raste në shekuj, për një periudhë kohe të kufizuar, të atyre pakicave në veprim ose në komandim, nuk ka asgjë për t’u qarë. Përkundrazi. E kemi fort të qartë sesi u sollën sektet fanatike që hipën në pushtet me dhunë dhe “gjueti shtrigash” si në rastin e reformuesve fetarë, protestantë dhe kalvinistë. E kemi fort të qartë sesi u sollën pakicat revolucionare (jakobinët) kur hipën në pushtet në emër të lirisë dhe popullit sovran që pastaj u kthyen në tiranë duke shkelur liritë më shumë sesa kishin bërë mbretëritë e shkuara. Pra, fanatizmi i pastërtisë – sipas sindromës revolucionare alla-San Just ose të Pakorruptueshmeve – shkaktojnë tirani në emër të popullit.
Ndërkohë në vetëcertifikimin e Ramës si pakicë e virtytshme gjendet padyshim kromozomi totalitar i jo-tolerancës.
Zanafilla mund të kërkohet te komunistët të cilët e nisën veprimtarinë e tyre politike në pakicë, me celula ilegale dhe në sajë të dhunës së egër për të vrarë sojin e tyre shqiptarë sipas porositësve jugosllavë arritën të mbizotëronin mbi forcat e tjera politike. Me të ardhur në pushtet pas Luftës komunistët i mbytën në gjak edhe ato pak kundërshtarë politikë e ideologjikë që kishin mbetur në qarkullim. Edhe pse gjithmonë “pakicë” komunistët nëpërmjet policisë sekrete dhe frikës sunduan shumicën me hekur e zjarr.  Edhe pas rënies së komunistëve dalja në pah e pakicave politike si shtojca elektorale kanë pasur fatin e merituar. Ndërsa me ardhjen në krye të PS-së të Edi Ramës u rikthye në bllok dhe gjenerata e dytë e pinjojve të diktaturës së proletariatit që shfaqen në konferenca për shtyp me mbiemra si Peza, Bushati, Klosi, Ylli, Shamku-Shkreli, Gjoni, Beqja etj., të cilët të bashkuar me një grusht afaristësh përbëjnë udhëheqësit e rinj të pakicës për të cilën krenohet Rama. 
Afërmendsh“pakica” militante e Ramës është konstatuar prej tri vitesh në protesta e demonstrata, grevë urisë dhe butafori përballë kryeministrisë. Kjo pakicë është dhe faktikisht më e varfra, më e pa veshura, më e paarsimuara, është ajo që ka përfituar më pak nga mbajtja në sistem e atyre për të cilët bërtet. Kjo pakicë, kënaqet me shumë pak. U ngjirën dhe shfrynë dufin për muaj me radhë. Parullat e tyre, siç mund ta keni vënë re nuk ishin politike, sepse vetë kauza e tyre nuk ishte politike, ishte emocionale. Parullat e tyre ishin plot sharje e ofendime, shpesh personale ndaj “armikut”. Pakicat janë pak sepse riprodhohen në shkallë të ulët.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: pakica e virtytshme është një legjendë e prodhuar në kullën e Fidelit. Sepse të jesh pakicë dhe humbës nuk është sinonim i mirësisë dhe virtytit.
L. Lita

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›