Konsorciumi që doli i dyti letër- Rulit: Të zbardhet gjithë skema e pagesës për blerjen e ARMO-s
Përfaqësuesit e konsorciumit “US Balkan Capital Fund”, që u klasifikua në vendin e dytë në tenderin për marrjen e kompanisë ARMO, kanë kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Privatizimeve që të zbardhë pagesat që janë bërë nga fituesi i këtij tenderi.
Në një letër drejtuar ministrit Genc Ruli thuhet se konsorciumi që doli i dyti ka të drejtë të informohet në mënyrë të detajuar për këtë çështje.
“Konkretisht, do të donim përgjigje specifike për çështjet e mëposhtme:
1. Cila është shuma totale e paguar në Thesarin e Shtetit shqiptar nga konsorciumi i “Refinery Associates of Texas” deri më 31 dhjetor 2008 lidhur me transaksionin e privatizimit dhe specifikisht për blerjen e aksioneve të ARMO-s.
2. Kopjet e transfertave telegrafike të dërgesave, të cilat të përmbajnë emrat e bankave dërguese dhe marrëse, suift kodet, shumat dhe datat e dërgesave, burimin e parave ose emrin e dërguesit dhe emrin e përfituesit të dërgesave.
3. Termat dhe kushtet për secilën transfertë/dërgesë (nëse është bërë ndonjë), duke sqaruar nëse fondet e dërguara nga secila bankë janë dhënë hua duke përdorur si kolateral asetet e ARMO-s, apo blerësit kanë përdorur fondet e veta financiare që dispononin në ato banka dhe bankat thjesht i kanë transferuar fondet në fjalë në Thesarin e Shtetit shqiptar.
4. A janë kredituar/përfshirë këto fonde/dërgesa në buxhetin e shtetit shqiptar të vitit 2008 apo të vitit 2009? Cili është statusi i taksave shtetërore lidhur me çdo pagesë të bërë?”, - thuhet në letrën e dërguar ministrit Ruli nga përfaqësuesi i këtij konsorciumi, Thomas S. Gallagher.
“Duke qenë se është pjesëmarrësi në tenderin ndërkombëtar të privatizimit të ARMO-s që u klasifikua në vend të dytë, por edhe për hir të transparencës, konsorciumi i “US Balkan Capital Fund” ka të drejtë të informohet për detajet e plota dhe të bëjë verifikimet për pagesën e 125 milionë eurove të bëra nga konsorciumi i “Refinery Associates of Texas” për blerjen e aksioneve të ARMO-s, në përputhje me ofertën e tyre dhe kushteve e kërkesave të Aneksit 4 (Formulari i Deklarimit të Pagesës së Çmimit) të Marrëveshjes për Shitjen e Aksioneve, të cilën METE e ka nënshkruar me konsorciumin e “RAT”-it”, - vijon më tej letra.