SMS e Shpëtim Idrizit për Berishën: Hallall e Allahu qoftë me ne
Fotografi i gazetës Shekulli ka mundur të fiksojë celularin e kryeministrit Sali Berisha në momentin që po votohej për presidentin. Ai ka arritur të sjellë se çfarë shkruhej në ekranin e celularit të kryeministrit, i cili ka këmbyer SMS me Vangjel Dulen e PBDNJ dhe me Shpëtim Idrizin e PDIU.
Në mesazhin që Berisha i dërgon Dules lexohet: Zoti Vangjel, të përgëzoj për aktin e sotëm politik dhe qytetar. Ky mesazh i shkon Dules pasi ai mori pjesë në votim.
Më pas Berisha nis të këmbejë mesazhe me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi. Shekulli ka fiksuar momentin kur kreu i PDIU i shkruan Berishës: OK. Hallall e Allahu qoftë me ne. Mos më harro matjanin (për humor). Nuk dihet se çfarë nënkupton çështja e matjanit, por të bie në sy notat fetare të komunikimit mes tyre.
Po ashtu sipas Shekullit, në celular Berishës i kanë ardhur mesazhe edhe nga qytetarë. Ka pasur prej tyre që e kanë akuzuar atë se po zgjedh presidentin në mënyrë të njëanshme.