Thellohet kriza politike, edhe BDI bojkoton Kuvendin

Kriza politike në Maqedoni po thellohet gjithnjë e më shumë. Seancën e sotme parlamentare e bojkotoi edhe grupi parlamentar i partisë më të madhe shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), e cila njëherësh është edhe partner i koalicionit qeverisës.
Sipas mediave kosovare, nga BDI, partia e Ali Ahmetit, heshtin. Jo zyrtarisht, si arsye kryesore, për një hap të tillë theksohet propozimi që Dimitar Bogov të jetë guvernatori ri i Bankës Popullore të Maqedonisë. Ndërsa grupi parlamentar i BDI-së priste në zyrë që VMRO-DPMNE t`i ftonte në seancë, kjo e fundit vazhdoi punimet në parlament duke votuar edhe guvernatorin e ri.
VMRO-DPMNE, me ca parti të vogla në koalicion, zhvilluan edhe debatin për ndryshimet kushtetuese rreth ekstradimit dhe emërimit të kryetarit të ri të KSHZ-së, votimi për të cilat është caktuar të premten për shkak se nevojiten 2/3 e votave. Ndërkohë që mbetet enigmë qasja e BDI për këto pika që pritet të miratohen të premten.