Thellohet skandali Imami
Thellohet skandali i Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me blerjet e pajisjeve përgjuese. Vizion Plus siguron dokumentet që vërtetojnë se vetëm dy ditë përpara ngjarjeve te 21 Janarit, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka urdhëruar blerjen e këtyre pajisjeve, ndërkohë që publikisht ka mohuar të ekzistojë një fakt i tillë.
Sipas këtyre dokumenteve vërtetohet që Ministri i Mbrojtjes, Imami, ka dijeni të plotë dhe dy ditë para demonstratës së opozitës më 21 janar, ku u vranë 4 persona, ka urdhëruar blerjen e pajisjeve speciale dhe armatimeve për llogari të SHIU-ut. Urdhrat dhe autorizimet e Imamit janë lëshuar 48 orë para 21 Janarit dhe në to flitet shprehimisht për pajisje përgjimi, të cilat do të viheshin në dispozicion të Shërbimit Informativ të Ushtrisë.
Kështu, në shkresën me Nr. 1585/1, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami urdhëron Shërbimin Informativ të blejë pajisje speciale operacionale. Po me ketë shkresë përcaktohet që blerjet do të bëhen nga ndërmarrja MEICO, tek e cila drejtori i Shërbimit Informativ duhet të paraqiste listën përkatëse të pajisjeve speciale. Po kështu, zoti Imami, jo vetëm që urdhëron blerjen e pajisjeve për Shërbimin Informativ të Ushtrisë, por përcakton edhe kompaninë tek e cila do të kryhet ajo.
Sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, blerja e këtyre pajisjeve tek kompania e përzgjedhur do të bëhet me procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë. Shërbimi Informativ Ushtarak të realizojë procedurën e prokurimit të drejtpërdrejt me kompanitë përkatëse për blerjen e aparaturave dhe pajisjeve speciale. Ky është urdhri i ministrit të Mbrojtjes, Imami. Ndërsa për zbatimin e tij, Imami ka ngarkuar drejtorin e MIECO-s dhe atë të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla.
Po në të njëjtën ditë, Ministri Imami ka firmosur autorizimin për procedurat përmes të cilave do të bliheshin pajisjet speciale, me një fond limit prej 179.2908 eurosh. Me ketë shkresë përcaktohet që blerjet do të bëhen nga ndërmarrja MEICO, ku drejtori i Shërbimit Informativ do të paraqiste listën përkatëse të pajisjeve speciale. Snajperë, automatikë, dylbi me rreze infra për të parë natën, pajisje regjistrimi video dhe audio, pajisje analoge transmetimi, deri rrip përgjimi, janë pajisjet që ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar të blihen me datën 19 janar te vitit 2011.
Fillimisht Imami ka lëshuar një urdhër për të ndryshuar bazën ligjore e më pas ka autorizuar ndërmarrjen MEICO të realizojë procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë të blerjes për llogari të Shërbimit Informativ Ushtarak. Arben Imami përcakton, jo vetëm paratë, por edhe firmat që do të prokurohen duke vendosur shumën e parave, për secilën prej tyre. Kështu, në urdhrin e lëshuar, Ministri i Mbrojtjes autorizon MEICO-n të kontaktojë me kompaninë Bereta, për të blerë armatime, për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë.
Fondi i përcaktuar nga Imami për armatosjen e kësaj strukture është rreth 40 mije euro. Ndërsa në pikën 2 të autorizimit, Imami përcakton SHIU-n të kryejë tenderimin me firmën, Arms& B me një fond prej 52 mije eurosh dhe atë STS me një fond rreth 88 mije euro. Sipas shkresës, këto blerje do të përballohen nga ndërmarrja MEICO, e cila do të ndjekë zbatimin e procedurave së bashku me drejtorin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Kështu, në këto shkresa Imami urdhëron blerjen e armatimeve, si dhe pajisje speciale për nevoja të SHIU-t.
Duket se këtu nis e gjithë zanafilla e akuzave te opozitës, e cila ne komisionin parlamentar te sigurisë ka kërkuar nisjen e një hetimi ne Ministrinë e Mbrojtjes, qe ndonëse i miratuar edhe nga mazhoranca ne Komision, nuk mundi te kryhej, pasi ne momentin kur deputetet e opozitës u drejtuan ne Ministrinë e Mbrojtjes, nuk u lejuan te hyjnë aty.
Pavarësisht peripecive dhe denoncimeve te bëra edhe ne media, serish ministri i Mbrojtjes i ka cilësuar këto sulme si politike dhe shkeljet si flluska për konsum publik. Ministri Imami ka qene disa here nen akuzat e opozitës. Se fundmi ajo ka kërkuar llogari për shitjen e pronave, qe rezultojnë te jene nen varësinë e Ministrisë se Mbrojtjes, duke theksuar se me të ardhur ne pushtet do të zhbëjë privatizimin e tyre tejet abuziv.
