E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Volonte shpifin, PS- ja është pro integrimit

Tiranë- Pas deklaratave të kryeministrit Berisha gjatë takimit me kreun e PPE- së, ka reaguar socialisti Rama duke thënë se ndjen keqardhje për takimin Berisha- Volonte.

Rama shprehet se nuk është hera e parë që eksponentë të dorës së dytë të së djathtës europiane bëhen pjesë e fushatave denigruese ndaj opozitës shqiptare, krah për krah me Sali Berishën.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të Partisë Socialiste, kreu i saj e ka cilësuar deklaratën e kryeministrit për bllokimin e integrimit nga ana e opozitës si një përrallë.

Përrallën e bllokimit të statusit nga opozita meqë socialistët kanë deklaruar se nuk votojnë në datën 6 gusht, zotërinjtë Berisha dhe Volonte mund tia tregojnë njëri-tjetrit apo atyre që u besojnë verbërisht, po asnjë shqiptari që shikon e që dëgjon me sytë e me veshët e tij,- shprehet Rama.

Në vijim ai ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e partisë së tij se është pro heqjes së imunitetit, por vetëm nëse dikutohen ndryshimet kushtetuese.

Kryesocialisti Edi Rama e siguron opinionin publik dhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë se Partia Socialiste mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj: Grupi parlamentar i opozitës do ta votojë pro kufizimin kushtetues të imunitetit, vetëm pasi të jenë diskutuar edhe ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej tij.
Me këtë rast Edi Rama i bën thirrje kryeministrit të heqë dorë nga politika e shpifjeve e sharjeve ndaj opozitës dhe ti hapë rrugë pa humbur kohë debatit për pjesën ende të padiskutuar të ndryshimeve kushtetuese që ka propozuar opozita,- thuhet në deklaratë.

Në mbyllje thuhet se kontributi i PS- së për integrimin e vendit ka qenë tepër i madh, ndërsa deklaratën e Berishës, Rama e ka cilësuar si shpifje.

/IDEA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›