Po për çfarë tjetër na duhet policia kur nuk na mbron jetën?
Në këtë katrahurë ku jemi katandisur është e kotë të presësh nga shteti. Policët të lënë në duart e xhelatit dhe vetë bëjnë sehir. Ngjarja horror ndodhin në mes të ditës dhe në mes të Vorës, ndërsa uniformat blu nuk honepsin as për pritje denoncimesh. I tillë është rasti që shqyrtohet sot në gazetën Shekulli. Saimir Shpati( 44 vjeç) plagosi me dy plumba Alfons Gjokën (33 vjeç), ndërsa ky i fundit kishte shkuar tu tregonte efektivëve blu problemin e tij.
Një natë më parë vëllai im i vogël ishte konfliktuar me Saimirin për gjëra të pavlera. Të nesërmen u njoftova se Saimiri po lëvizte nëpër zonë i armatosur. U ngrita menjëherë të shkoja në polici që të bëja kallëzim, se ishte i armatosur dhe të ndërhynin, paçka smund ta besoja kurrë se ai mund të më qëllonte. Aty smë priti askush. U ktheva, rrëfen Alfonsi.
E ndërsa Alfonsi është nisur për tek makina, është përballur me agresorin.
Mu afrua dhe më qëlloi. Ashtu zvarrë u nisa prapë në drejtim të postës, por askush smu afrua as të më pyeste, derisa erdhën shokët e mi. Më morën dhe më sollën në spital, thotë ai.
Saimir Shpati ka qëlluar mbi Alfons Gjokën dy plumba, njëri ka kapur kokën, por fatmirësisht tangent. Plumbi i dytë i lëshuar mbi të është devijuar nga telefoni Nokia në xhepin e pantallonave.
Gjoka pohon se më shumë se dy plumbat që i kanë rënë në trup, ndjehet i fyer dhe krejtësisht i pambrojtur edhe në një moment jetik, ku uniformat blu të qytetit të Vorës qëndruan duarkryq.
I lënduari është jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në Spitalin Ushtarak.