E Enjte, 5 Nëntor 2026

Thellohet skandali, Pike kërkoi favore për Olimpiadën

Vazhdon të thellohet skandali që ka në qendër Zherard Pikenë, teksa mësohet së fundmi se ai i kërkoi ndihmë Presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit për të luajtur në Lojërat Olimpike të Tokios. Hollësi të reja, të publikuara nga gazeta “El Konfidencial”, kanë dalë në dritë pasi një tjetër audio-përgjim  kishte zbuluar se mbrojtësi i Barcelonës ndihmoi për të negociuar një komision prej 24 milionë Eurosh për të çuar Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite. Në përgjimin e ri, Pike mund të dëgjohet duke i kërkuar presidentit të federatës, Luis Rubiales, të bisedojë me trajnerin e ekipit olimpik, Luis de la Fuente dhe të krijojë një takim mes tyre.

“Duhet ta bësh këtë për mua Rubi, duhet ta bësh atë të ndodhë”, – thotë futbollisti i Barcelonës, duke vijuar: “Duhet ta mbajmë sekret dhe të flasim me trajnerin. Unë do të shkoj në Madrid dhe do të ulemi me të. Ne duhet ta bëjmë atë në një mënyrë që të mos jetë askund. Ne të tre duhet ta mbajmë këtë sekret deri në fund, a nuk mendon kështu?”. Rubiales pranoi të fliste me trajnerin, por tha se do të varet nga De la Fuente të vendosë se çfarë të bëjë.

Presidenti përfundimisht foli me De la Fuenten dhe tha se trajneri kërkoi të priste derisa përfaqësuesja të kishte siguruar kualifikimin për turneun olimpik. Rubiales foli publikisht për herë të parë në një konferencë shtypi të mërkurën për këtë çështje dhe tha se Pique nuk ishte lojtari i vetëm që foli me të për të shkuar në Lojërat Olimpike.

“Kam biseduar me De la Fuente për të dhe për lojtarë të tjerë gjithashtu”, tha Rubiales. “I thashë se disa më thirrën dhe se ai duhej të merrte vendimin e tij. Pique nuk ishte lojtari i vetëm që më thirri”. As Pike dhe as Ramos nuk arritën në skuadrën olimpike, e cila përfundoi me medaljen e argjendtë pas humbjes nga Brazili në finale. Lojtarët mbi 23 vjeç të thirrur në skuadër ishin Mikel Merino, Marko Asensio dhe Dani Sebajos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›