Kuçi: Do të respektohet çdo marrëveshje

Ai këto komente i bëri të dielën pas inspektimit që i bëri provimit të kandidatëve të rinj për gjyqtarë për prokurorë, të cilëve me këtë rast u ka dëshiruar suksese në punën e tyre në të ardhmen në sistemin e drejtësisë.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, dje kishte deklaruar se partia që ai drejton është kundër shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale dhe ka kërkuar që partitë t’i përmbahen marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti, sipas së cilës këto zgjedhje do të mbahen në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Kuçi, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka theksuar se kjo parti do të respektojë çdo marrëveshje të arritur deri më tash.
“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje. Partia Demokratike e Kosovës po e them si zëvendëskryeministër çdo marrëveshje që kemi arritur deri tani e kemi respektuar dhe do ta respektojmë edhe këtë, dhe do ta respektojmë çdo marrëveshje eventuale të arritur në këtë vend. Unë jam jurist dhe i përmbahemi një thënie “Marrëveshja duhet të respektohet”. Jeta është më evolutive se sa marrëveshja nëse ka evolucion në këtë vend zhvillohen gjërat pozitivisht jam i gatshëm për çdo gjë”, ka thënë Kuçi.
PDK, AKR dhe LDK në fillim të prillit kanë arritur një marrëveshje për ndryshime të nevojshme kushtetuese që do të krijonin rrethanën për zgjedhje të presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.
Bazuar në marrëveshje, Komisioni do të përfundojë punën e vet brenda gjashtë deri në nëntë muaj nga data e themelimit të tij, kështu që kufiri i skajshëm ka mbetur edhe dy muaj.
Marrëveshja parasheh që zgjedhjet e para presidenciale të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj nga data, në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative do të hyjnë në fuqi. Sipas kësaj, i bie se ato do të duhet të mbahen në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Zëvendëskryeministri Kuçi u është përgjigjur edhe kritikave të AAK-së rreth gjendjes në administratën publike dhe numrit të gardianëve në burgjet korrektuese, duke thënë se ky problem është trashëguar nga vitet e mëhershme, ndërkohë që është duke u punuar për një reformim në shërbimin korrektues, i cili pritet të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm.
“Unë kam kërkuar nga shërbimi korrektues një reformim të tërë dhe jemi duke e bërë një rregullore të sistematizimit dhe duhet të fillojë prej 1 janarit, por ajo çka mund të them është që nga koha kur unë jam bërë ministër asnjë gardian i ri nuk është pranuar në Shërbimin korrektues të Kosovës, por është një punë që e kam trashëguar prej viteve 2000. Të them të drejtën ajo çka do të them unë është se do t`i sistematizoj si duhet, por edhe një fakt duhet ta pranojmë se lëvizja e numrit të të burgosurve është relative, brenda ditës mund të jenë 1300, ditën tjetër mund të jenë 1500 ose 500 dhe ne kemi një sistem permanent”, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka folur edhe rreth pjesëmarrjes së tij në punimet e Forumit Krans Montana në Zvicër, ku ka mbajtur një fjalim gjatë të cilit u ka bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur Kosova ta bëjnë një gjë të tillë dhe se ka kërkuar që një prej forumeve të Krans Montanës në të ardhmen të mbahet edhe në Kosovë. /kosovapress/