E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiraj synon t’i shënojë Realit

Sulmuesi kosovar, Fatos Beqiraj ishte njeri prej golashënuesve në fitoren 3-0 që skuadra e tij, Dinamo Zagreb e arriti sy mysafir kundër Splitit që konfirmoi se janë ekipi më i mirë në Kroaci.

Goli në këtë përballje e ka motivuar ish-sulmuesin e Besës së Pejës para ndeshjes me Real Madridin, në Ligën e Kampionëve, e cila zhvillohet javën e ardhshme. Beqiraj synon të realizojë sërish, nëse i ofrohet rasti.

“Jam i kënaqur me formën time aktuale. Gol kundër Realit? Pse jo, nëse më ofrohet mundësia”, tha Beqiraj për uebfaqen zyrtare të Dinamos. Ai komentoi edhe paraqitjen e ekipit në fitoren në Splitit.

“Në pjesën e parë kemi qenë disi të ngathtë, por e dinim se jemi më të mirë dhe u kundërpërgjigjëm në pjesën e dytë. Atëherë arrita të shënoj, e pastaj gjithçka ishte më e lehtë. Në fund, me meritë morëm pikë të plota në një udhëtim të vështirë”, përfundoi reprezentuesi malazez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›