Thënia e ditës/Gramoz Ruçi: “Më takon që në prill të jem në Shkodër”

Ish-ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit Gramoz Ruçi kohët e fundit po bën gafa ta papara dhe jo të zakonshme për profilin e ashpër që jep përpara kamerave. Gafa e djeshme më Shkodër e kryetarit të grupit parlamentar të PS “më takon që në prill të jem në Shkodër” është e barabartë me gafën e parafundit në parlament kur në një lapsus të vërtetë deklaroi se Arben Broci ishte përndjekur nga Berisha, në fakt gjatë qeverisjes së tij të ministrisë së punëve të Brendshme të regjimit të Ramiz Alisë, u vranë me 2 prill të 1991, 4 heronj të demokracisë.
Me urdhër të Gramoz Ruçit, në atë kohë ministër i Brendshëm, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, morën plumbat e "bishës" që përjetonte ditët e fundit të saj. Lije Broci, e ëma e Arben Brocit, Dëshmorit të Demokracisë akuzon si vrasës të martirëve të të Shkodrës, Ramiz Alinë dhe Gramoz Ruçin.
Janë me mijëra familjet shqiptare në të cilat daljet publike të Gramoz Ruçit shkaktojnë dhimbje, neveri e përbuzje. Këto janë familjet, të afërmit e të cilëve u vranë me urdhrin e ministrit të fundit të Sigurimit të Shtetit nga falangat e krimit në kufijtë e vendit apo në sheshet ku protestonin kundër diktaturës. Jo vetëm për këto familje, por për shumicën e shqiptarëve fytyra bolshevike e Ruçit është simboli më i goditur i makthit 50-vjeçar që kaloi vendi, të cilin pasardhësja e Partisë së Punës po kërkon ta riciklojë. Dhe lexuar në këtë plan gafat e një pas njëshme të Gramoz Ruçit nuk janë të rastësishme, por janë të studiuara mirë sepse lexohen nga nostalgjikët e zonës së parë operative që janë dhe votuesit e ish-ministrit të fundit të Sigurimit.