Phaeton, Automjeti luksoz i gjigantit Volksvagen
Volksvagen ka paraqitur në Pekin modelin e ri “Phaeton”, i cili premierën e tij do ta ketë në panairin e automjeteve Auto China 2010, i cili mbahet nga 27 prill deri më 2 maj të këtij viti.
Vendi i premierës nuk është përzgjedhur rastësisht, kur merret parasysh se “Phaeton” ka shënuar shitje modeste në Britani të Madhe dhe Europë, ndërsa nga tregu amerikan është tërhequr në vitin 2006. Kina e Koreja e Jugut janë tregjet më të mëdha të automjeteve, e Volksvagen në Kinë ka shitur 1.400 Phaeton, që krahasuar me vitin 2008 është rritur për 40 për qind. Ndryshimet në limuzinën luksoze kryesisht janë të natyrës kozmetike, prandaj Phaeton i ri do të bëhet me pamje të ngjashme me modelet tjera të VWsë, përfshirë ato të Polo, Golf e Touareg. Volksvagen Phaeton vjen me imazh të ri me drita bi-xenon, mbrojtës të përparmë të ridizajnuar, kapak të ri të motorit dhe dizajn të ri të rrotave. Modeli bazë do të ketë motor V6 3.2 litërsh me benzinë, i cili zhvillon 280 kuaj fuqi, ndërsa në majë të ofertës është motori 6.0 litërsh W12 me 450 kuaj fuqi. Veç këtyre, në ofertë do të jetë edhe motori 4.2 litërsh V8 me benzinë dhe 335 kuaj fuqi.
24 Prill 2010