E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtim interesimi për industrinë e kromit

 

Japonezët interesohen për minierat e Kalimashit, pas rritjes së kërkesës për krom në tregun ndërkombëtar

Qeveria njoftoi dje se korporata japoneze “Marubeni” me aktivitete në industrinë siderurgjike është interesuar për kompleksin minerar në Kalimashit, pranë Kukësit. Njoftimi nuk dha detaje të tjera. Kërkimet e burimeve të reja, janë punë e zakonshme e departamenteve të kërkimit nëpër korporata. Zakonisht, në Shqipëri shumë kompani të tilla interesohen për të grumbulluar informacion paraprak.

Miniera e Kalimashit u mbyll në fillim të viteve ’90 dhe që nga ajo kohë u mbajt për më shumë se 15 vite në konservim, para se të konsiderohej ekonomikisht e pavlerë. Burimi i kromit në Kalimash nuk tërhoqi interesimin e investitorëve që morën koncesione në industrinë minerare në fillim të viteve 2000, kryesisht për shkak se vlerësohej si burim i varfër e shumë larg rrugëve kryesore që të mund të shfrytëzohej me efikasitet. Shqipëria zotëron rreth 4% të rezervave botërore të kromit, të përqendruara kryesisht në masivin e Bulqizës. Por tregu botëror i kromit ra nën kontrollin e pak kompanive prodhuese nga Afrika e Jugut dhe Rusia, gjë që e bëri të pamundur depërtimin në treg të një vendi të vogël si Shqipëria.

Por gjatë viteve të fundit, situata duket se ka ndryshuar. Gjatë vitit të kaluar, eksportet e kromit arritën në 36.3 milionë euro, praktikisht tre herë më shumë se në vitin 2006, falë rritjes së kërkesës për minerale nga Kina dhe falë çmimeve të larta. Kromi përdoret për prodhimin aliazhit të aluminit. Pjesa më e madhe e eksporteve të kromit nga Shqipëria patën si destinacion Kinën e Suedinë.

Industria e nxjerrjes së kromit kontrollohet aktualisht nga disa kompani të huaja, të cilat fituan kontrata koncesionare në vitet 2001-’03. Që nga ajo kohë, disa objekte janë shitur dhe janë blerë disa herë nga të huajt, jashtë kontrollit të shtetit. Dhënia me koncesion e minierave vlerësohet nga ekspertët e fushës, si një strategji tashmë e dështuar. Kompanitë koncesion-marrëse qenë shumë të vogla e pa kapacitete të mjaftueshme në ekspertizë e në financime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›