Gjana: Skandali i vajit, Shqipëria e paprekur
Rezultatet e analizave të kryera në Itali tregojnë se vaji është brenda standardeve të kërkuara
Skandali i vajit të ndotur me lubrifikantë që prej një muaji ka tronditur Greqinë, nuk ka depërtuar në territorin shqiptar. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, bëri të ditur gjatë ditës së djeshme se rezultatet e analizave të kryera në Itali për cilësinë e vajit ushqimor të importuar nga Greqia në tregun shqiptar, janë konform standardeve për konsum. Gjatë një konference për shtyp, ministri Gjana tha se në tregun vendas, të gjitha ushqimet i nënshtrohen kontrollit sistematik nga inspektorët përkatës, duke siguruar kështu konsumatorët për cilësinë dhe standardet e tyre. Sipas tij, në tregun ushqimor shqiptar, nuk ka hyrë asnjë sasi vaji i ndotur, jo vetëm nga Ukraina, por nga asnjë shtet tjetër. Duke iu referuar faktit se autoritetet greke bllokuan në Selanik një sasi vaji të importuar nga Ukraina - në mesin e muajit maj - që dyshohej të ishte i papërdorshëm, Gjana tha se "në doganat shqiptare, të gjitha importet ushqimore, duke përfshirë dhe vajin, i nënshtrohen kontrollit dhe analizave. Vetëm pasi garantojnë parametrat e sigurisë dhe cilësinë ushqimore, ato lejohen të hyjnë në tregun shqiptar". Sasia e vajit të bllokuar nga Sektori i Kontrollit Ushqimor (EFET) pranë Ministrisë Greke të Zhvillimit, kishte përmbajtje të lartë të lëndës së dioksinit dhe ishte importuar nga Ukraina me destinacion vendet e Evropës Juglindore, veçanërisht Shqipërinë dhe Greqinë.